Bota

Djali i kryeministrit izraelit shkakton polemika: Arabët, kërcënim për të ardhmen e vendit

Në një postim në rrjetin social X ai i cilësoi arabët izraelitë si kërcënimin më të madh për vendin pas Iranit dhe programit të tij bërthamor.

M.K.
Djali i kryeministrit izraelit shkakton polemika: Arabët,
Yair & Benjamin Natanyahu

IZRAEL- Yair Netanyahu djali i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka shkaktuar reagime të forta me deklaratat e tij ndaj popullsisë arabe në Izrael. Në një postim në rrjetin social X ai i cilësoi arabët izraelitë si kërcënimin më të madh për vendin pas Iranit dhe programit të tij bërthamor.

Duke iu referuar zgjedhjeve për Knessetin e 26-të ai pretendoi se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë arabe nuk është e rreshtuar me interesat e shtetit izraelit.

“Një vend nuk mund të mbijetojë në planin afatgjatë kur 20% e popullsisë së tij identifikohet me armiqtë e tij dhe dëshiron shkatërrimin e tij”, shkroi Yair Netanyahu.

Ai bëri gjithashtu deklarata për islamin dhe myslimanët duke pretenduar se shumica e tyre nuk mund të bashkëjetojnë në paqe me besimet e tjera.

Deklaratat u kundërshtuan nga deputeti arab Ahmad Tibi i cili i cilësoi ato si raciste dhe antisemitike. Tibi theksoi se qytetarët arabë në Izrael vazhdojnë të kërkojnë të drejta të barabarta dhe një të ardhme të bazuar në bashkëpunim.

Edhe publicisti Rani Rahav reagoi duke i kujtuar kryeministrit Netanyahu deklaratat e vitit 2016 për votuesit arabë, për të cilat ai kishte kërkuar falje.

Reagimet vijnë pas zgjedhjeve parlamentare,ku partitë arabe fituan 19 vende në Knesset, duke rritur peshën e tyre në negociatat për formimin e qeverisë së re.

Postimi i plotë i Yair Netanyahut:

Këto zgjedhje kanë dëshmuar se rreziku më i madh për mbijetesën e shtetit të Izraelit, përveç armëve bërthamore iraniane, është ajo që quhet "arabët e Izraelit". Madje, më shumë sesa vëllezërit e tyre palestinezë në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, më shumë sesa Turqia dhe më shumë sesa antisemitizmi që po shpërthen në Perëndim.

Një shtet nuk mund të mbijetojë në planin afatgjatë kur 20% e popullsisë së tij identifikohet me armiqtë e tij dhe dëshiron shkatërrimin e tij.

Franca po përfshihet nga flakët dhe po shembet nga brenda, për shkak se 10% e qytetarëve të saj janë myslimanë.

Islami nuk është vetëm fe, por edhe ideologji politike, e cila kërkon besnikëri ndaj "umetit" islam (bashkësisë së myslimanëve) dhe i konsideron jobesimtarët (hebrenjtë dhe të krishterët) si armiq, të cilët duhet të islamizohen me forcë, të vriten ose të lejohen të jetojnë në një status të nënshtruar dhe poshtërues.

Prandaj, sipas këtij pretendimi, ata luftojnë kundër hebrenjve në Tokën e Izraelit, kundër të krishterëve në Liban, Evropë, Amerikë dhe Afrikë, si dhe kundër hinduve në Indi. Kjo është një ideologji që nuk është e gatshme të jetojë në paqe me fqinjët "jobesimtarë".

Prandaj, hebrenjtë, të krishterët, budistët dhe hindutë mund të jetojnë në fqinjësi të mirë me njëri-tjetrin, por shumica e myslimanëve jo./ZËRI

MOS HUMB