GREQI- Gjykata Penale e Trikalasë në Greqi ka dënuar me burgim të përjetshëm Pandeli Nakolecin 40 vjeçarin shqiptar që vrau bashkëshorten e tij Marjola Nakoleci, në fund të gushtit 2025 në qytetin e Volosit. Përveç dënimit maksimal, ai u shpall fajtor edhe për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armëve, për të cilat u dënua me një vit burg.
Sipas mediave greke, krimi ndodhi në banesën e familjes ku 40-vjeçari goditi disa herë me sende të forta bashkëshorten 36 vjeçare, në prani të katër fëmijëve të tyre. Procesi gjyqësor, i cili nisi të enjten e kaluar, përfundoi të hënën me shpalljen e vendimit nga gjykata.
Gjatë gjykimit, pala që mbështeste akuzën ngriti pretendimet se Nakoleci kishte ushtruar vazhdimisht dhunë psikologjike, verbale dhe fizike ndaj bashkëshortes, ndërsa vrasja ishte kryer me paramendim. Prokurorja kërkoi shpalljen e tij fajtor për vrasje me dashje duke kundërshtuar pretendimet e mbrojtjes për përgjegjësi të reduktuar penale.
Nga ana tjetër 40- vjeçari pretendoi se vuante nga probleme të shëndetit mendor të cilat, kishin ndikuar në kryerjen e krimit. Avokati i tij argumentoi se klienti kishte një çrregullim psikik të diagnostikuar dhe se merrte medikamente edhe gjatë qëndrimit në burg.
Megjithatë, gjykata rrëzoi kërkesën e mbrojtjes për uljen e përgjegjësisë penale si dhe pretendimet për njohjen e rrethanave lehtësuese. Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe katër fëmijët e çiftit, të cilët nuk u thirrën për të dëshmuar.