DURRËS- Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) ka konstatuar diskriminim të rëndë, të shumëfishtë dhe ndërsektorial ndaj 52-vjeçarit Artan Andoni nga Spitali Rajonal Durrës. Bëhet fjalë për Artan Andonin, rasti i të cilit u bë publik në korrik, ndërsa një muaj më pas ndërroi jetë. Sipas KMD, Andoni u nxor nga spitali pa iu siguruar një zgjidhjeje e sigurt për strehimin dhe kujdesin e mëtejshëm.
KMD bën me dije gjithashtu se është konstatuar diskrimin edhe nga Ministria e Shëndetësisë, pasi mungesa e shërbimeve të përshtatshme e la pacientin pa një mundësi strehimi pas daljes nga spitali.
Në përfundim, KMD kërkon nga Spitali i Durrësit që të rishikojë procedurën e daljes për pacientët pa strehë, dalja duhet të bëhet pas vlerësimit klinik dhe social, si dhe të mbrojë konfidencialitetin e të dhënave shëndetësore dhe të trajnojë personelin për mosdiskriminimin. Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë kërkohet që brenda 6 muajve të marrë masa: të miratojë një protokoll bashkëpunimi mes institucioneve për daljen e sigurt nga spitali, si dhe të sigurojë shërbime rezidenciale, emergjente dhe rehabilituese për personat me varësi nga drogat.
Rasti shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale, pas raportimeve se pacienti ishte nxjerrë nga spitali dhe kishte përfunduar në një barakë në zonën e Portit të Peshkimit në Durrës. Nga ana tjetër, Spitali Rajonal Durrës i kishte mohuar këto pretendime.
Njoftimi i plotë:
KMD konstaton diskriminim në trajtimin e një pacienti në Durrës
Një pacient u la në një hapësirë publike pas daljes nga Spitali Rajonal Durrës, pa iu siguruar një vend i sigurt ku të qëndronte dhe pa iu garantuar vijimësia e kujdesit. Hetimi, i nisur nga KMD pas raportimeve në media, konstatoi gjithashtu se gjatë komunikimeve publike të spitalit u zbuluan të dhëna konfidenciale për shëndetin e pacientit.
Me vendimin nr. 298, datë 10.11.2026, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstatoi diskriminim në formë të rëndë, të shumëfishtë dhe ndërsektoriale nga Spitali Rajonal Durrës. KMD konstatoi diskriminim edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në aksesin në shërbimet e kujdesit shoqëror. Mungesa e shërbimeve të përshtatshme e la pacientin pa një mundësi strehimi pas daljes nga spitali.
Çfarë duhet të ndryshojë?
Brenda 3 muajve, Spitali Rajonal Durrës duhet të rishikojë procedurën e daljes për pacientët pa strehë, pa mbështetje familjare ose që nuk mund të kujdesen për veten. Dalja duhet të bëhet pas vlerësimit klinik dhe social, në bashkëpunim me shërbimet sociale dhe pasi të jetë siguruar një vend i përshtatshëm ku pacienti mund të qëndrojë. Spitali duhet gjithashtu të mbrojë konfidencialitetin e të dhënave shëndetësore dhe të trajnojë personelin për mosdiskriminimin.
Brenda 6 muajve, Ministria duhet të marrë masa për miratimin e një protokolli që përcakton si bashkëpunojnë institucionet për referimin dhe daljen e sigurt nga spitali. Ajo duhet të marrë masa edhe për të siguruar shërbime publike rezidenciale, emergjente dhe rehabilituese për personat me varësi nga drogat.
Për të parandaluar raste të ngjashme, KMD rekomandoi shtrirjen e standardit të daljes së sigurt në të gjitha spitalet publike dhe u drejtoi rekomandime të posaçme institucioneve përgjegjëse për kujdesin shëndetësor, shërbimet sociale dhe reagimin në raste urgjente.
Institucionet duhet ta informojnë KMD-në për masat e marra ose të planifikuara brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për vendimin.
