
NEW YORK – Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka takuar këtë të premte Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Gueterres, pas seancës të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua për Kosovën.
Vuçiç tha se 12 ose 13 vende anëtare të Këshillit të Sigurimit ishin pro Serbisë, në lidhje me vendimin e marrë nga Prishtina, për ndalimin e dinarit në Kosovë. “Mendoj se seanca e Këshillit të Sigurimit ishte e rëndësishme për ne, për të parë se në çfarë pozicioni aspak të favorshëm jemi. Ne jemi duke parë edhe faktin sesa bota na mbështet. Unë e them me bindje se 12 ose 13 shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit në OKB nga 15 të tilla janë me Serbinë, sa i përket vendimit për dinarin”, tha Vuçiç.
"Këto janë gjëra të rëndësishme për ne, këto janë mesazhe të mira. Mendoj se ne luftuam me nder dhe e përfaqësuam vendin tonë me ndershmëri, dhe kjo ishte ajo që mundëm të bënim”, shtoi Vuçiç. Ai deklaroi më tej se në takimin me Gueterres, është folur për situatën në Kosovë, Serbi e në rajon.
Të dy liderët, i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe i Kosovës Albin Kurti kishin një përplasje publike të enjten në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku akuzuan njëri-tjetrin se luajnë rol në destablizimin e rajonit. Prej kohësh, situata në veriun e Kosovës paraqitet e tensionuar. Prishtina zyrtare ka ndërmarrë aksione për të eliminuar institucionet paralele serbe atje, ndërsa Serbia ka mbështetur faktorin serb në Kosovë./ZËRI/