Bota

'Zbërthimi' i mafiozit të ndjerë italian para hetuesve: Kam bërë jetë të lirë, të gjithë më duan!

Matteo Messina Denaro tha se ka pasur miq të pasur dhe të varfër dhe nuk sjellë ndonjëherë me arrogancë.

D.XH
'Zbërthimi' i mafiozit të ndjerë italian para hetuesve:
Matteo Messina Denaro

ITALI – Bosi mafioz Matteo Messina Denaro, i vetëdijshëm se ditët e tij ishin të numëruara për shkak të sëmundjes së pashërueshme që e goditi, nuk përjashtoi mundësinë e të rrëfyerit me gjyqtarët.

“Nuk jam i interesuar. Unë në jetë shpesh herë kam ndryshuar mendim, por gjithmonë e kam bërë me mendje të shëndoshë", i tha bosi mafioz më 7 korrik 2023 zëvendësprokurorit të Palermos, Paolo Guidos, i cili e ftoi atë të kontribuonte në rindërtimin e pjesëve të së vërtetës.

"Unë nuk jam tipi i njeriut që shkatërron të tjerët", kishte thënë Denaro. Prokurori Guido e ftoi Messina Denaron të fliste, pa e ftuar kurrë të pendohej, por vetëm për të dhënë elementë “historikë”.

“Pjesë të së vërtetës duam të na thoni dhe që do t’ju ​​lejojë të jeni edhe më të qetë, për sa i përket historisë suaj, ndaj gjithçkaje që ju ka rrethuar para dhe pas arrestimit, për të treguar kronologjinë e jetës suaj”, kishte thënë prokurori.

Ndërsa, Mateo Messina Denaro ka theksuar se nuk është lloji i njeriut që shkatërron jetët e të tjerëve.

"Unë jam në fund të jetës sime, por çështja është se unë nuk jam lloji i njeriut që të shkatërroj të tjerët dhe më besoni kjo është e vërteta, nuk mund të jap më asnjë mallkim, nuk jam ai lloj personi. Tek ju vijnë njerëz dhe thonë X më bëri kështu e Y bëri kështu, unë nuk hyj tek këta persona”, thotë ai në një tjetër pasazh të marrjes në pyetje.

Messina Denaro shtoi se është një ‘mafioz’, që të gjithë e duan.

"Unë jam mafioz dhe të gjithë më kanë dashur. Unë jam, le të themi në thonjëza, një mafioz siç më konsideroni ju. Të gjithë më duan. Ju keni menduar se gjetët një Rambo, por unë kam bërë një jetë krejt normale. Jeta ime ishte thuajse njësoj kurdo, si zakonisht, isha i lodhur, siç ndodh me të gjithë”, kështu iu përgjigj Matteo Messina Denaro prokurorëve të Palermos, që erdhën për ta marrë në pyetje më 7 korrik. Kumbari ishte tashmë shumë i sëmurë dhe e dinte se ditët e tij ishin të numëruara (ai do të vdiste më 25 shtator në spitalin L'Aquila nga kanceri i zorrës së trashë).

"Paratë? Mamaja ime më jepte gjithmonë" 

"Kam qenë gjithmonë në atë që ju e konsideroni mafia, garanci për të gjithë. Nuk i kam vjedhur askujt asgjë. Po flas për mjedisin tim, nuk kam qenë kurrë tipi që të përpiqem të mbizotëroj, as për ngritje për pushtet, as për para”, shpjegon ai. Kur magjistratët e pyetën se nga vinin paratë e gjetura në shtëpinë e motrës së tij Rosalia, e cila u arrestua më vonë, ai u përgjigj se i duheshin për veten. "Më duheshin për të mbajtur veten. Paratë e gjetura tek motra sigurisht erdhën nga nëna ime sepse ishin paratë e familjes. Mendoni se kam dalë për të kryer grabitje apo për të kërkuar zhvatje?”- pyeti ai magjistratët.

“Nuk kam kërkuar kurrë zhvatje nga askush, nuk jam marrë kurrë me trafik droge, nuk kam kryer asnjëherë grabitje. Paratë ishin në dispozicion të familjes sime, nëna ime gjithmonë përpiqej të mbante para dhe t'u jepte të gjithëve, veçanërisht mua", ka deklaruar ai.

“Familja ime është rrafshuar për tokë” - “Unë kam një familje të rrënuar, por fundja çfarë faji kanë pasur? Mund të kem gabime personale: më varni, më jepni të gjitha dënimet e përjetshme që dëshironi, por çfarë ka bërë familja ime, duke paguar nga jeta e tyre, pse kanë pasur marrëdhënieje familjare me mua, sepse e kam dikë motër apo vëlla”. Matteo Messina Denaro u ankua për hetimet kundër familjarëve të tij tek prokurorët e Palermos, të cilët shkuan për ta marrë në pyetje në burg më 7 korrik. “Unë di vetëm një gjë se ma keni shkatërruar familjen, e keni rrafshuar në tokë. Pse merreni me mamanë time, është mafioze? Shteti, ligji, ia prishi shtepinë, orenditë. Ku e gjeni ju këtë të drejtë”, u thotë ai gjyqtarëve, duke shfaqur pakënaqësi të dukshme.

"Kam pasur miq kudo, kam jetuar jetën e një njeriu të lirë"-  "Çfarë jete kam bërë në Palermo? Kam jetuar në liri si në Campobello, sepse për mirë a për keq, ju keni eksploruar jetën time në Campobello (qyteti ku ka kaluar më shumë të kohës së tij fshehur), por unë kam bërë të njëjtën jetë gjithmonë”. Kështu iu përgjigj Matteo Messina Denaro prokurorëve të Palermos, të cilët e pyetën më 7 korrik për statusin e të arratisurit. Raporti i marrjes në pyetje është depozituar në seancën paraprake ndaj së dashurës së tij, Laura Bonafede. “Miqësitë e mia nuk fillojnë dhe mbarojnë vetëm në botën që ju e konsideroni mafioze, nuk është kështu, miqësitë e mia ishin kudo”, shtoi ai.

Bosi i mafias tha gjithashtu se ka bërë tatuazhe në qendër të kryeqytetit mes viteve 2006 dhe 2009 dhe se ka pasur trajtim periodik tek një dentist.

"Unë kurrë nuk kam bërë dallim midis të pasurve dhe të varfërve. Natyrisht nëse do të më duhej të shoqërohesha me një person të varfër, nuk shkova atje me Rolex si një formë edukimi, nuk është se mburresha,”- ka thënë ai.

Matteo Messina Denaro, konsideruar si një nga bosët më të mëdhenj në Itali, që ishte në kërkim prej kohësh, u arrestua nga autoritetet italiane. Ai vdiq në burg, pasi vuante nga kanceri i zorrës së trashë./TGCOM24 ZËRI/

Poll

MOS HUMB