TIRANË-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë një takimi me kryeministrin Edi Rama dhe me drejtuesit e sistemit bankar, garantoi se llogaritë bankare janë të sigurta dhe shërbimet do të vijojnë normalisht. Guvernatori deklaroi se Banka e Shqipërisë do të vijojë operacionet dhe do i përgjigjet të gjitha kërkesave që kanë qytetarët.
Gent Sejko: Ne koordinuam sëbashku veprimet dhe sot me praninë e kryeministrit dhe ministrave do të diskutojmë edhe njëherë për vijueshmërinë e sistemit bankar e financiar, sepse kjo është një e mirë për ekonominë dhe bizneset, që duhet të vijojë funksionimin pa u cenuar. Ne si Bankë Shqipërie kemi pasur nën funksion të gjitha shërbimet. Ajo që kemi dashur të theksojmë është që pavarësisht tensionit, depozitat e qytetarëve janë të sigurta. Bankat janë me likuiditet shumë të mirë. Ne duam që kjo industri të vijojë sa më mirë, sepse pasojat do të ishin zinxhir. Garantoj kryeministrin dhe të gjitha bizneset se Banka e Shqipërisë do të vijojë operacionet dhe do i përgjigjet të gjitha kërkesave që kanë qytetarët.