Bota

Përballja në OKB/ Vuçiç: Po persekutohen serbët! Kurti: Pretendime nga shteti që kreu gjenocidin

Vuçiç tha se situata në Kosovë po bëhet e vështirë për serbët, pas vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit serb.

f.t
Përballja në OKB/ Vuçiç: Po persekutohen serbët!
Aleksandë Vuçiç dhe Albin Kurti

SHBA- Mbledhja e Këshillit të Sigurimit ku do të diskutohet çështja e Kosovës ka nisur. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili mbajti fjalën në Nju Jork, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të thirrur nga Serbia, për situatën në Kosovë, tha se po kryhen sulme sistematike ndaj serbëve dhe sipas tij, ata po persekutohen.

Vuçiç theksoi se situata në Kosovë po bëhet e vështirë për serbët, pas vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit serb. Sipas tij rregullorja e BQK-së është “goditje ndaj mbijetesës së serbëve dhe themelimit të Asociacionit” të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Shpreh respekt të thellë për Këshillin e Sigurimit për organizimin e shpejtë të këtij sesioni, është shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm për shkak të situatës aktuale në Kosovë, e cila është plotësisht në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe institucionet përkatëse. Institucionet kanë krijuar kushte të padurueshme për serbët dhe po kryejnë sulme të shumta sistematike ndaj qytetarëve serbë dhe persekutimi i tyre, pa reagim, mund të shkaktojë dëme të pariparueshme. Serbia e informon rregullisht këtë këshill dhe opinionin ndërkombëtar, Serbia ka kërkuar këtë seancë të jashtëzakonshme sepse ngjarjet dhe aktivitetet e vazhdueshme të Prishtinës janë të një natyre të tillë që mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme që do të kishin deri në seancën e ardhshme. Lëvizja e BQK-së kur transaksionet e pagesave me dinarë janë ndaluar në Kosovë nga 1 shkurti, vazhdimi i atyre sulmeve ndaj serbëve dhe popullatës tjetër joshqiptare të Kosovës, ka arritur deri në atë pikë ku mbijetesa e tyre në krahina jugore serbe varet nga fondet që vijnë nga Serbia”-u shpreh Vuçiç.

Ndërkohë në përgjigjen e tij kryeministri Albi Kurti ka deklaruar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se pretendimet e Serbisë janë të pavërteta dhe vijnë nga shteti që kreu gjenocidin e fundit të shekullit të 20-të. Sipas Kurtit, Kosova doli nga lufta si simbol i luftës për dinjitet dhe triumf i të drejtave të njeriut.

“Të gjitha këto janë pretendime të rreme të persekutimeve nga një vend që është i njohur që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit 20. Kosova doli nga lufta si simbol i luftës për dinjitet dhe triumf i të drejtave të njeriut. Nuk kemi qenë të trishtuar, kemi ndërtuar vetën në një shoqëri shumëetnike dhe shumëkulturore me një shtet që sheh përpara dhe është solid demokratik. Çerekshekulli pas luftës qëndrojmë krenarë si Republikë për të gjithë, shoqëri shumëetnike për të gjithë. Me krenari themi që e zbatojmë Kushtetutën me masat më të larta të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, 20 ulëse të garantuara në parlament nga 120 në total, prej të cilave 10 janë të serbëve veçanërisht. Serbët në Kosovë kanë po ashtu 10 nga 38 komunat në Kosovë. Gjuha serbe është gjithkund gjuhë zyrtare. Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitet serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata ndërkombëtare”,-tha Kurti.

Mbledhja në OKB erdhi pas kërkesës të bërë nga Serbia dhe që është përkrahur nga Rusia, për ngjarjet e fundit në Kosovë.Serbia, në një letër, dërguar më datë 5 shkurt, presidentit të Këshillit të Sigurimit, kërkoi një takim urgjent, për të diskutuar për situatën në Kosovë. Beogradi pretendoi se aktet e njëanshme të Kosovës, përfaqësojnë një shkelje të hapur të Rezolutës të Këshillit të Sigurimit 1244 të vitit 1999.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB