
PEJË- Dhjetëra persona kanë marshuar këtë të mërkurë në Pejë në nderim të Gjyljeta Ukellës, gruas që u vra nga bashkëshorti më 16 Prill teksa ishte në banesë. Marshimit, i priu vajza e të ndjerës, ndërsa të pranishëm ishin qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile. Ajo u pa e përlotur ndërsa në duar mbante një bluze të bardhë, e cila të stampuar kishte fotografinë e nënës së ndjerë.
Ndërkohë, detaje të reja janë bërë me dije në lidhje me krimin që tronditi Pejën. Raportohet se Edmond Lajqi, e akuzonte vazhdimisht bashkëshorten e tij për tradhëti dhe se vuante nga xhelozia e sëmurë për të. Ai i drejtohej shpesh të ndjerës duke i thënë se ka lidhje me disa burrë, ndërsa kjo e fundit i ka mohuar gjithmonë akuzat e bashkëshortit, deri mëngjesin e 16 Prillit, ku u vra me dy plumba.
Sipas dosjes hetimore, Gjyljeta Ukella është qëlluar me dy plumba në kokë që kanë rezultuar fatale për të. Ajo ishte e ulur në divan kur është qëlluar. Nuk ka pasur asnjë tentativë nga ana e viktimës, çfarë bën të dyshohet se ajo nuk e ka pritur që i shoqi do e qëllonte për vdekje. Ukella ishte nënë e tre fëmijëve, të cilët në momentin e ngjarjes nuk ndodheshin në banesë.
Edmond Lajqi, ishte denoncuar dhe më herët për dhunë në familje nga Ukella. Por ai ia kishte dalë të lirohej duke paguar një gjobë prej 400 eurosh të vendosur nga gjykata. A vlen jeta e nënës së fëmijëve 400 euro? Hetimet ende vijojnë ndërs Lajqi nuk ka dhënë një dëshmi të qartë përballë hetuesve. Ndërkohë në media u raportua se nëna e autorit Edmond Lajqi ka ndërruar jetë këtë të mërkurë pas ngjarjes. Raportohet se ajo vuante nga një sëmundje e rëndë.
Gjyljeta Ukella punonte prej 20 vitesh në sistemin shëndetësor në Pejë. Ajo ishte asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë. Këtë të mërkurë Presidetja e Kosovës Vjosa Osmani e shpalli Ditë Zie Kombëtare, për shkak të vrasjes së Ukellës dhe 21-vjeçares, që u vra të premten e shkuar në Ferizaj./ZËRI