
KOSOVË- Detaje të reja kanë dalë në dritë, nga krimi brenda familjes që tronditi Pejën mëngjesin e sotëm, ku Gjyljeta Ukella u vra nga bashkëshorti i saj Edmond Lajqi, për motive që ende nuk janë zbardhur nga policia e Kosovës. Ukella u qëllua me armë zjarri në banesë nga bashkëshorti i saj, i cili më pas u vetëdorëzua në polici, ku rrëfeu në lidhje me krimin e rëndë.
Autori i vrasjes, ka një histori kriminale, pasi dhe më herët ka qenë i dënuar për dhunë në familje. Ai ka një vendim gjykate për dhunë në familje, në vitin 2021, ndërsa i është komunikuar asokohe dhe një gjobë prej 400 eurosh.
E ndjera mësohet se punonte në Drejtorinë për Shëndetësinë në Pejë. Ukella për dy dekada ka shërbyer si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.
“Të tronditur thellë nga vrasja makabre e koleges tonë, punëtores shëndetësore të stomatologjisë të ndjerës Gjyljeta Ukella. E ndjera Gjyljetë per dy dekada shërbeu si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.
Do të mbetet në kujtimet e secilit kolegë për punën dhe urtësinë që e ka karakterizu personalitetin e Gjyljetes. U prehsh në parajsë!”, thuhet në postim.
Çifti ka pasur së bashku 3 fëmijë, ndërsa viktima ka marrë dy plumba në kokë.
Lajmin për rastin tragjik e ka konfirmuar kryeprokurori i Pejës Agim Kurmehaj, i cili njoftoi se i dyshuari është arrestuar, teksa trupi i pajetë i viktimës akoma nuk është tërhequr nga vendi i ngjarjes. Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani duke dënuar këtë vrasje tha se të gjithë duhet që të bëhen bashkë për tra ndalur vrasjen e grave dhe vajzave në Kosovë. Këto deklarata Osmani i bëri nga Forumi për Gruan, Paqen dhe Sigurinë.
/ZËRI