
KOSOVË-Janë liruar qyetarët e Kosovës që ishin bllokuar në pikën kufitare Serbi-Kroaci. Ende nuk ka informacione për të ndaluarit në pikën kufitare Serbi – Hungari.
Dhjetëra autobusë nga Kosova që nga orët e vona të së martës e deri më tani kanë qenë të bllokuar nga Serbia në kufirin me Kroacinë, duke mos i lejuar që të vazhdojnë as para dhe as të ktheheshin pas. Gjatë gjithë kësaj kohe, disa prej qytetarëve të ndaluar janë marrë në pyetje nga autoritetet serbe për “verifikim” dhe gjëndja shëndetësore e një prej udhëtarëve u përkeqësua, duke u dërguar për mjekim urgjent në Beograd.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njoftoi se më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovc autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë. Sipas MPJD-së, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.
Veprimi i Serbisë solli reagime të ashpra edhe nga ndërkombëtarët, ku zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se janë duke e ndjekur nga afër situatën e krijuar. Stano u shpeh se Serbia shkeli marrëveshjen për lëvizjen e lirë dhe duhet të përmbahet nga veprimet e njëanshme. Bllokimi i qytetarëve erdhi pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka rekomanduar dje që Kosova të bëhet anëtare e Këshilit Evropian./ZËRI