
KOSOVË-Situata vijon të përkeqësohet në kufi, ku autoritetet kufitare serbe, në pikëkalimin Batrovci, Serbi-Kroaci, nga mesnata kanë bllokuar katër autobusë me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës. Në lidhje me këtë ngjarje ka folur shoferi i një autobusëve, Driton Bajrami i cili u shpreh se problemi më i madh i bllokimit është që mbrëmë që u votua për Kosovën në Këshillin e Evropës.
“Jemi në pikën kufitare Serbi – Kroaci, jemi prej orës 23:00 këtu duke pritur për të hyrë në Kroaci. Destinacioni është për në Gjermani. Arsyeja e ndaljes është që çdo autobus i Kosovës dhe çdo veturë po ndalohet prej policisë së Serbisë. Ndalesat janë në të dy anët. Për momentin në kufi jemi afër 2 mijë persona. Arsyeja është që mbrëmë që u votua për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sipas informacioneve që kemi ne është kjo arsyeja. Në çdo autobus po thonë policët që ka persona të dyshimtë. Po i marrin nga 2-3 persona, po i dërgojnë në stacion, po i pyesin se nga dhe prej ku po shkojnë.Këta po vijnë me një fletë se në kë po dyshojnë. Po i marrin në pyetje se prej nga po vijnë, ku po shkojnë dhe a kanë viza. Një person ka ardhur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, shkoi tek policia për t’u marrë vesh me ta, por s’kemi asnjë informacion”, tha ai në “Ora Shtatë” në Klan Kosova.
Ndërkohë raportohet se një udhëtari për shkak të stresit është dashur që të i ofrohet ndihmë mjekësore. Në lidhje me gjendjen e tij janë ndarë video ku duket momenti kur i përkeqasohet.
'Nuk e di se çka pat. Ishte një udhëtar, ia dhanë ndihmën e parë këtu dhe nuk dimë më shumë për të, e kanë dërguar për në Beograd”, një nga udhëtaret, Imrane Raka.
Raka tha se në kufirin Kroaci-Serbi janë duke pritur që nga ora 06:30 e mëngjesit, ndërsa tha se ka udhëtarë nga Kosova të cilët po presin prej orës 22:00. Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ku tha se pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet e Kosovës janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë nga Kosova janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë./ZËRI