
UASHINGTON – Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se SHBA-ja do të përgjigjet, pasi tre trupa amerikane u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në një sulm me dron të shtunën mbrëma në verilindje të Jordanisë, pranë kufirit me Sirinë. Presidenti fajësoi milicitë e mbështetura nga Irani për vdekjet e amerikanëve, pas disa muajsh sulmesh nga grupe militante kundër forcave amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme. Biden, i cili po udhëtonte në Karolinën e Jugut të dielën, kërkoi një moment heshtjeje, gjatë një paraqitjeje në sallën e një kishe baptiste.
"Ne patëm një ditë të vështirë mbrëmë në Lindjen e Mesme. Ne humbëm tre shpirtra të guximshëm në një sulm në një nga bazat tona", tha ai. Pas momentit të heshtjes, Biden shtoi: Ne do të përgjigjemi.
Ndërsa rreziku i përshkallëzimit në rajon vazhdon, zyrtarët amerikanë po punojnë për të identifikuar përfundimisht grupin përgjegjës për sulmin, por ata kanë konstatuar se një nga disa grupet e mbështetura nga Irani, qëndron pas agresionit. Deri më tani, një grup ombrellë, Rezistenca Islamike në Irak, një milici e mbështetur nga Irani, që vepron në Irak dhe Siri, ka marrë përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës me dron. Grupi ka marrë përgjegjësinë për dhjetëra sulme kundër bazave që strehojnë trupat amerikane në Irak dhe Siri, që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, raporton Sky News.
Biden ka thënë në një deklaratë me shkrim se SHBA do t'i kërkojë llogari të gjithë atyre, që janë përgjegjës për sulmet. Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se ‘ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara, trupat tona dhe interesat tona". Rivali i Biden për Shtëpinë e Bardhë këtë vit, Donald Trump, tha: Ky sulm i pacipë ndaj Shteteve të Bashkuara është një tjetër pasojë e tmerrshme dhe tragjike e dobësisë dhe dorëzimit të Joe Biden.
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, tha: Ne dënojmë fuqishëm sulmet e grupeve të milicisë të lidhura me Iranin kundër forcave amerikane. Ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje Iranit të de-përshkallëzojë në rajon. Mendimet tona janë me personelin amerikan që kanë humbur jetën dhe të gjithë ata që kanë pësuar lëndime, si dhe me familjet e tyre.
Luftëtarët e mbështetur nga Irani në Sirinë lindore kanë nisur evakuimin e pozicioneve të tyre, nga frika e sulmeve ajrore të SHBA-së, sipas Omar Abu Layla, një aktivist me bazë në Evropë që drejton median Deir Ezzor 24. Sipas një zyrtari amerikan, numri i trupave të plagosur në sulmin nga një dron me një drejtim, mund të rritet. Zyrtari tha se një dron i madh goditi bazën, i identifikuar si një instalim, i njohur si Kulla 22.

Çfarë është Kulla 22?
Kulla 22 mban një vendndodhje strategjike të rëndësishme në Jordani, në pikën më verilindore, ku kufijtë e vendit ‘takohen’ me Sirinë dhe Irakun. Pak informacion rreth bazës dihet publikisht, por ajo përfshin mbështetjen logjistike dhe ka 350 trupa të ushtrisë dhe të forcave ajrore amerikane të stacionuara në vend. Kulla 22 është afër garnizonit al-Tanf, i cili ndodhet përtej kufirit në Siri dhe ku strehon një numër të vogël trupash amerikane. Tanf kishte qenë kyç në luftën kundër Shtetit Islamik dhe ka marrë një rol si pjesë e një strategjie të SHBA-së për të frenuar ngritjen ushtarake të Iranit, në Sirinë lindore.
Kulla 22 ndodhet mjaft afër trupave amerikane në Tanf, saqë mund të ndihmojë potencialisht në mbështetjen e tyre, duke kundërshtuar gjithashtu militantët e mbështetur nga Irani në zonë dhe duke i lejuar trupat të mbajnë një vështrim mbi mbetjet e Shtetit Islamik në rajon. Aktualisht nuk është e qartë se çfarë lloj armatimi mbahen në bazë, çfarë mbrojtjesh ajrore përdoren, as çfarë saktësisht shkoi keq.
Kjo kullë është përgjatë kufirit sirian me Jordaninë dhe përdoret kryesisht nga trupat e përfshira në misionin e këshillimit dhe ndihmës për forcat jordaneze. Instalimi, të cilin Jordania nuk e bën publike, përfshin inxhinierinë, aviacionin, logjistikën dhe trupat e sigurisë amerikane. Baza ushtarake amerikane në al-Tanf në Siri është vetëm 12 milje në veri të Kullës 22. Instalimi jordanez ofron një qendër kritike logjistike për forcat amerikane në Siri, duke përfshirë ato në al-Tanf, i cili është afër kryqëzimit të kufijve të Irakut, Sirisë dhe Jordanisë.

3000 trupa amerikane ndodhen në Jordani
Televizioni shtetëror jordanez citoi Muhannad Mubaidin, një zëdhënës i qeverisë, të ketë thënë se sulmi ka ndodhur përtej kufirit në Siri. Trupat amerikane kanë përdorur prej kohësh Jordaninë, një mbretëri në kufi me Irakun, Izraelin, territorin palestinez të Bregut Perëndimor, Arabinë Saudite dhe Sirinë, si një pikë bazë. Komanda Qendrore e SHBA-së vlerësoi numrin e përgjithshëm të viktimave në tre të vrarë dhe 34 të plagosur. Të vrarët po flinin në një tendë dhe disa nga të plagosurit janë evakuuar nga vendi. Rreth 3,000 trupa amerikane zakonisht ndodhen në Jordani./ZËRI