
HAGË- Teksa gjykimi në Hagë ndaj Hashim Thaçit ish-komandatëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po vijon, mbrojta ka kërkuar të tërhiqet. Avokatët Gregory Kehoe, Joe Reeder, “Greenberg Legal Associates” dhe anëtarët e tjerë të kësaj kompanie kanë kërkuar tërheqjen nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit për arsye të mospagesës.
Gjithashtu nga avokatët është kërkuar që gjatë kësaj periudhe të gjitha kostot e nevojshme të merren përsipër nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Derisa të caktohen avokatët e tjerë, deri në një periudhë 45 ditore të njëjtët avokatë do vazhdojnë punën e tyre.
Pagesat për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë është e detyruar ta bëjë Ministria e Drejtësisë në Kosovë. Në reagimin e saj Ministria e Drejtësisë mohon mospërmbushjen e detyrimeve financiare për mbrotjen e Hashim Thaçit. Kjo e fundit ka sqaruar se në këto 4 vite nga fillimi I gjykimit për avokatët e Thaçit janë paguar më shumë se 3.5 milionë euro, përfshirë dhe vitin 2023 dhe thekson se ajo paguan vetëm avokatët më të cilat ka marrëveshje.
Pas tërheqjes nga mbrojtja e avokatëve, një reagim ka ardhur edhe nga vëllai I ish-presidentit Hashim Thaçi, I cili ka sqaruar se kontrata me kompaninë ligjore “Greenberg Legal Associates”, nuk është vazhduar në vitin 2024. Idriz Thaçi shotoi se kontarta nuk ka vazhduar për shkak të vështirësive financiare në mbulimin e kostos së të gjithë avokatëve të angazhuar si pjesë e mbrojtjes së Thaçit.
“Në pamundësi për ta mbuluar koston për të gjithë avokatët e angazhuar deri në fund të vitit të kaluar, për shkak të vështirësive financiare jemi detyruar ta reduktojmë ekipin dhe tani avokat kryesor i z. Thaçi është z. Luka Misetic, i cili do të jetë në koordinim të plotë edhe me avokatët e tjerë ndihmës. Z. Kehoe ka qenë i informuar lidhur me vështirësitë në mbulimin e kostos së shërbimeve të ekipit të tij dhe për mosvazhdimin e kontratës në vitin 2024. Ne e falenderojmë z. Kehoe dhe ekipin e tij për angazhimin e deritashëm dhe për punën e mirë që e kanë bërë në mbrojtjen e z. Thaçi",- tha Idrizi.
Mësohet se avokat kryesor i ish-presidentit Thaçi, do të jetë avokati, Luka Misetic, i cili do të jetë në koordinim të plotë edhe me avokatët e tjerë ndihmës.
Kush i paguan avokatët?
Kuvendi i Kosovës më 2015 miratoi një Ligj që mundësoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Bashkë me të, deputetët miratuan edhe një ligj, sipas të cilit, çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.
Por, me udhëzimin administrativ MD - Nr. 02/2020, të datës 24 korrik 2020, të nënshkruar nga ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Selim Selimi, përcaktohet se mbulimi financiar i avokatëve, bëhet në bazë të tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës, tarifave për avokatë në Holandë, tarifave të shtetit prej nga vjen mbrojtësi dhe tarifave për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara.
Të gjithë të akuzuarit ose të autorizuarit e tyre duhet të plotësojnë një kërkesë zyrtare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike. Në këto shpenzime mund të përfshihen të gjitha shërbimet që i kryen ekipi mbrojtës, duke përfshirë madje, edhe shpenzimet e zyrës dhe telefonatave. Pos mbulimeve të shpenzimeve të përfaqësimit ligjor, shteti paguan edhe për të gjitha shpenzimet e vizitave të familjarëve të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara. /ZËRI