Një aksion ndërkombëtar kundër trafikut të paligjshëm të armëve ka çuar në arrestimin e më shumë se 152 personave dhe sekuestrimin e mijëra armëve të zjarrit në Evropë dhe Azinë Qendrore. Gjatë operacionit janë zbuluar edhe armatime të trafikuara nga zonat e konfliktit përfshirë 68 granata që dyshohet se janë transportuar ilegalisht nga Bosnja drejt Serbisë.
Operacioni 'Trigger X' i koordinuar nga Interpol u zhvillua në 17 vende nga 22 qershori deri më 5 korrik. Bilanci i aksionit përfshin 2,823 armë të vogla dhe të lehta rreth 400 granata e mjete shpërthyese si dhe më shumë se 40 mijë fishekë të sekuestruar.
Mes personave të arrestuar janë edhe 15 të kërkuar ndërkombëtarisht, pesë prej të cilëve ishin shpallur në kërkim përmes njoftimit të kuq të Interpol. Hetimet kanë evidentuar lidhje mes trafikut të armëve dhe veprimtarive të tjera kriminale përfshirë trafikun e drogës, kontrabandimin e emigrantëve dhe grabitjet.
Një nga zbulimet kryesore u regjistrua në Serbi ku përveç granatave të dyshuara të trafikuara nga Bosnja, policia zbuloi një punishte të paligjshme ku armët me ajër dhe armët me ndezje me goditje modifikoheshin për t'u kthyer në armë zjarri funksionale. Ndërkohë në kufirin mes Bullgarisë dhe Turqisë u ndaluan dy kamionë që transportonin mbi 1,000 pushkë gjuetie të tipit ushtarak.
Operacioni zbuloi edhe lidhje të mundshme mes rrjeteve të trafikut të armëve dhe kontrabandës së emigrantëve. Në Bullgari u sekuestruan 20 gomone që sipas informacioneve të inteligjencës dyshohet se do të përdoreshin për kalime të paligjshme përmes Kanalit të La Manshit. Gjatë kontrolleve një emigrant u identifikua me armë automatike dhe fishekë.
Drejtues të Interpol kanë paralajmëruar se armët nga zonat e konfliktit përbëjnë rrezik serioz nëse përfundojnë në duart e organizatave kriminale. Përveç armatimeve, autoritetet sekuestruan edhe lëndë narkotike, cigare të falsifikuara dhe mallra të padeklaruara, duke evidentuar shtrirjen e gjerë të aktiviteteve të paligjshme të zbuluara gjatë operacionit.