GJILAN- Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të premte në Livoç të Ulët në Gjilan të Kosovës ku Valon Ramushi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri bashkëshorten e tij dhe dy vëllezërit e saj. Si pasojë e të shtënave gruaja dhe njëri prej vëllezërve kanë humbur jetën, ndërsa personi tjetër ka mbetur i plagosur, raporton gazeta Sinjal. Rrethanat e ngjarjej janë ende të paqarta, ndëra detaje të reja priten në vijim.
Ngjarja u raportua në polici rreth orës 14:25. I dyshuari Valon Ramushi është vetëdorëzuar në polici, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar një armë zjarri që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes. Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin e saj.
Njoftimi i Policisë:
Sot, më 09.10.2026, rreth orës 14:25, Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Gjilan, ka pranuar një informatë lidhur me të shtëna me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët, në Komunën e Gjilanit.
Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, si dhe dy prokurorë të Shtetit, me ç’rast është konstatuar se bëhet fjalë për një incident të rëndë, ku dyshohet se nga arma e zjarrit është vrarë një person i gjinisë mashkullore, rreth 30-vjeçar, i cili është gjetur brenda një veture. Po ashtu ne vendin e ngjarjes ka dal edhe Drejtori i DRP, Gjilan.
Në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan është sjellë pa shenja jete një person i gjinisë femërore, rreth 30-vjeçare, e cila dyshohet se po ashtu është vrarë nga arma e zjarrit nga i njëjti i dyshuar.
Ndërkohë, një person tjetër, i cili ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Sipas informatave fillestare, dyshohet se në mes të të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare. Deri në këtë fazë të hetimeve, motivi që ka çuar në këtë ngjarje të rëndë ende nuk dihet.
I dyshuari është vetëdorëzuar,ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë relevante hetimore, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimit të motivit dhe dokumentimit të rastit./ZËRI