Bota

Trump sulmon fituesen e Nobelit për Paqen: Urren Amerikën dhe Izraelin! SHBA vendos sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare

Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Sa’ar i cili pretendon se çmimi i është dhënë Pillay për të legjitimuar akuza politike kundër vendit të tij.

M.K.
Trump sulmon fituesen e Nobelit për Paqen: Urren Amerikën dhe
donald trump

SHBA- Vendimi për t’i dhënë Çmimin Nobel për Paqen Navi Pillay ka hapur një valë reagimesh të kundërta në arenën ndërkombëtare. Presidenti amerikan Donald Trump dhe ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar kanë kundërshtuar ashpër vlerësimin, duke e akuzuar juristen për qëndrime kundër SHBA-së dhe Izraelit, si dhe për qëndrime që, sipas tyre, favorizojnë Hamasin.

Sipas mediave të huaja Trump ka vënë në pikëpyetje vendimin e Komitetit të Nobelit dhe ka sulmuar publikisht punën e Pillay lidhur me konfliktin në Gaza. “Pillay ushqen një urrejtje të hapur ndaj Amerikës dhe Izraelit. Në detyrën e saj, ajo ka lavdëruar terroristë dhe ka shpërblyer Hamasin”, tha presidenti amerikan, duke e cilësuar hetimin për veprimet e Izraelit si farsë.

Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Sa’ar i cili pretendon se çmimi i është dhënë Pillay për të legjitimuar akuza politike kundër vendit të tij. Ministri izraelit përdori edhe një krahasim me Joseph Goebbels duke deklaruar se ish-kreu i propagandës naziste “me siguri po duartroket nga ferri” pas vendimit të Komitetit të Nobelit.

Megjithatë, kritikat nga Uashingtoni dhe Tel Avivi janë shoqëruar me vlerësime pozitive nga drejtues të tjerë ndërkombëtarë. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen vuri në pah angazhimin e gjatë të Pillay për të drejtat e njeriut, ndërsa presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa e cilësoi çmimin si një vlerësim të merituar për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare.

Mbështetje shprehën gjithashtu presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, dhe kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez. Edhe raportuesja speciale e OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze, Francesca Albanese, e përshëndeti vendimin, duke theksuar rëndësinë e drejtësisë për palestinezët.

Ndërkohë Hamasi e konsideroi çmimin një mesazh shprese për popullin palestinez, veçanërisht për banorët e Gazës. Reagimet e kundërta e kanë vendosur vlerësimin për Pillay në qendër të debatit mbi luftën në Gaza dhe rolin e drejtësisë ndërkombëtare.

Në këtë klimë reagimesh të kundërta për luftën në Gaza dhe rolin e institucioneve ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), vetëm pak orë pas dhënies së çmimit Navi Pillay, e cila ka shërbyer si gjyqtare në këtë institucion nga viti 2003 deri në vitin 2008.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi se masat synojnë të kufizojnë burimet financiare dhe veprimtarinë e gjykatës. “Do të ndalojmë transaksionet me këtë gjykatë të jashtëligjshme, duke i ndërprerë burimet financiare dhe duke paralizuar aftësinë e saj për të vepruar”, tha Rubio.

Sanksionet e reja shkojnë përtej masave të mëparshme ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të veçantë dhe mund të prekin edhe kompanitë që ofrojnë shërbime për gjykatën.

“Presidenti Trump nuk do ta lejojë kurrë Gjykatën Penale Ndërkombëtare të ndjekë penalisht qytetarët amerikanë. Për këtë arsye, sot Shtetet e Bashkuara vendosin sanksione ndaj saj”, theksoi sekretari amerikan i Shtetit.

Uashingtoni ka kundërshtuar prej kohësh veprimet e gjykatës ndaj zyrtarëve izraelitë përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, si dhe hetimin e mëparshëm për veprimet e ushtarëve amerikanë në Afganistan i cili më pas u mbyll.

gjyqtarja jugafrikane Navanethem "Navi" Pillay, 85 vjeç, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqe "për përpjekjet e saj për të promovuar paqen dhe të drejtën ndërkombëtare./ZËRI

Poll

MOS HUMB