Bota

Pas propozimit të Kurtit për presidentin/ Hamza: Synon kontrollin e institucioneve kryesore të Kosovës

Hamza vuri në pikëpyetje edhe vetë natyrën e ofertës së kryeministrit duke argumentuar se një çështje që e konsideron madhore dhe me rëndësi kombëtare nuk mund të shkëmbehet me votën për një kandidat për president.

M.K.
Pas propozimit të Kurtit për presidentin/ Hamza: Synon kontrollin e
Bedri Hamza

KOSOVË- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza ka refuzuar ofertën e fundit të kryeministrit Albin Kurti për të votuar ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale dhe më pas për të zgjedhur presidentin e ri të Kosovës.

Kurti kishte propozuar që LVV-ja të mbështeste në lexim të dytë ndryshimet e kërkuara nga PDK-ja nëse kjo e fundit do të votonte një prej dy kandidatëve të propozuar nga partia në pushtet Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin për postin e presidentit.

Por Hamza e ka cilësuar këtë propozim si të papranueshëm. Sipas tij çështja e ligjit për Gjykatën Speciale nuk mund të përdoret si kusht për zgjedhjen e kreut të shtetit.

“Kjo temë po tentohet të shndërrohet në pazare të minutave të fundit. Qëllimi është si ta përdorë ligjin thjesht dhe direkt për shantazh për ta arritur qëllimin politik për ta pasur një president politik dhe për ta përmbyllur plotësisht kapjen e institucioneve të shtetit”, tha Hamza.

Kreu i PDK-së bëri të ditur se komunikimin e fundit me Kurtin e kishte zhvilluar gjatë mesditës së sotme, kur i kishte përcjellë qëndrimin e partisë së tij se fillimisht duhet të votohet ligji në lexim të dytë dhe vetëm më pas të diskutohet për një marrëveshje rreth presidentit.

Hamza vuri në pikëpyetje edhe vetë natyrën e ofertës së kryeministrit duke argumentuar se një çështje që e konsideron madhore dhe me rëndësi kombëtare nuk mund të shkëmbehet me votën për një kandidat për president.

“A kësaj i thonë marrëveshja? Kësaj i thonë një ligj për një çështje madhore, kombëtare, po ta votoj që ky është presidenti” shtoi ai./ZËRI

Poll

MOS HUMB