
KOSOVË- Prishtina është tronditur nga një tjetër krim i rëndë mbrëmjen e djeshme. Pas vrasjes së gruas së këshilltarit të Behgjet Pacollit, një 52-vjeçar është vrarë me thikë.
Ngjarja ndodhi në lagjen Emshir, ku dyshohet se dhëndri, Edon Bujupi, ka plagosur me thikë vjehrrin e tij, Ali Kosova. Krimi dyshohet se ka ndodhur pasi ata kanë pasur një mosmarrëveshje mes tyre.
Edon Bujupi pak ditë më parë ishte raportuar i zhdukur dhe Policia kishte nisur hetimet për gjetjen e tij. Bashkëshortja e tij, A.Kosova, më 24 nëntor kishte kërkuar ndihmën e Policisë, duke thënë se Edoni një natë më parë ka dalë nga shtëpia dhe nuk ka asnjë informacion për të. Mbrëmjen e 26 nëntorit, Edoni ishte paraqitur në stacion policor, ku është parë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka deklaruar se gjatë kohës që ishte raportuar i zhdukur, ka qëndruar në Prizren për qejf.
Njoftimi i policisë:
Rr. Ali Vitia, Prishtinë 29.11.2023 – 21:30. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje, i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar-therur me thikë babanë e bashkëshortes së tij (vjehrrin), viktimën mashkull kosovar i cili duke mos u përballuar plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku. I dyshuari gjendet në arrati, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Policia po heton në lidhje me zbardhjen e rrethanave të krimit, ndërkohë që është vendosur në kërkim të Edon Bujupit./Zëri.ai/