Aktualitet

Vrasja e gruas së ish-këshilltarit të Pacollit, familja ra pre e grabitësve, çfarë dihet deri tani

Mësohet se grabitësit që kanë marrë pjesë në këtë krim të rëndë me pasojë jetën ka qenë dy. Ata kanë lëvizur me një makinë me targa të huaja, të tipit Golf 5

E.K
Vrasja e gruas së ish-këshilltarit të Pacollit, familja ra pre e
Pamje nga vendngjarja dhe cifti Murseli

KOSOVË-Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prishtinën gjatë mbrëmjes së djeshme, ku një grua u vra me armë zjarri, pas një grabitje që iu bë teksa udhëtonte me makinë me familjes e saj. Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, viktima është gruaja e Naim Murselit, ish-këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit.

Ky i fundit në një reagim në rrjetet sociale i ka shprehur ngushëllimet familjes së gruas së vrarë, ndërsa ka publikuar dhe një foto të saj.

“Lajm i tmerrshëm për tragjedinë në familjen e Naim Murselit. Dhimbjen time e ndaj me familjen e të ndjerës Liridona”, shkroi Pacolli.

Ndërkaq siç ka njoftuar Policia, viktima është gjetur e vrarë brenda veturës. Zëdhënësja e Policisë Flora Ahmeti ka raportuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:20. Sipas zëdhënëses, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri.

“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën "Dalip Alshiqi" në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri. Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti.

Gazeta Sinjali ka raportuar përmes burimeve se "rasti dyshohet të ketë ndodhur gjatë kohës kur Murseli bashkë me gruan e fëmijët ndodheshin në veturë, kur papritmas u kanë zënë pritën me veturë disa grabitës, të cilët i plaçkitën".

"Bazuar në deklaratën e Murselit që e ka dhënë para hetuesve policorë, ai ka deklaruar se hajdutët fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat. Kjo situatë e tmerrshme dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga makina, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri", shkruan gazeta.

Mësohet se grabitësit që kanë marrë pjesë në këtë krim të rëndë me pasojë jetën ka qenë dy. Ata kanë lëvizur me një makinë me targa të huaja, të tipit Golf 5.

Ky nuk ka qenë rasti i vetëm me pasoja të rënda për jetën në Kosovë, pasi një tjetër ngjarje ka tronditur Prishtinën, ku dhëndri ka therur me thikë vjehrrin e tij.

Zëdhënësja e Policisë Ahmeti, ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 22:00, në rrugën “Ali Vitia”, ku 52 vjeçai ka marrë plagë të rënda me thikë dhe për pasojë ka humbur jetën në spital.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB