
TIRANË- Tre muaj pas vrasjes së Martin Bardhit në mes të Rreshenit detaje të reja kanë dalë në dritë. Raportohet se autorët, të cilët përdorën një makinë ‘’JEEP’’, tipi Grand Cherokee, përpara se të ekzekutonin Martin Bardhin kanë lëvizur disa herë rreth lokalit të tij, duke kaluar përpara Komisariatit të Policisë së Rreshenit. Por askush nuk dyshoi në lëvizjet e mjetit, me xhama të zinj, i cili kryente lëvizje të dyshimta në një qytet të vogël ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin.
Në dosjen hetimore të siguruar nga “Në shënjestër”, thuhet se pas kqyerjes së kamerave të sigurisë të vendosur në ambientet e jashtme të Komisariatit janë konstatuar lëvizjet e mjetit, brenda të cilit ndodheshin tre autorët, të cilët nuk shiheshin mirë për shkak të xhamave të errët.
Pjesë nga dosja: Nga këqyrja e kamerave të sigurisë së Komisariatit të Policisë Mirditë, është konstatuar se një automjet me të njëjtat karakteristika me atë të gjetur të djegur në fshatin Gëziq-Mirditë, fuoristradë, i markës ‘JEEP’, tipi Grand Cherokee, ngjyrë e errët, targat e së cilës nuk fiksohen, dhe po ashtu as personat brenda mjetit, kalon në rrugë përpara Komisariatit të Policisë Mirditë me drejtim lëvizje nga tregu në drejtim të lokalit të viktimës, në intervalet kohore 09.36; 10.18; 10.24 dhe 10.39, ku kjo e fundit përkon me kohën e ndodhjes së ngjarjes.
Ndërkohë autopsia e kryer në trupin e Martin Bardhit ka konstatuar dhe fuqinë e predhave shpuese që kishin hyrë në trupin e tij si pasojë e të shtënave. Kjo tregon dhe forcën e armëve që janë përdirur në atentat.
Pjesë nga dosja: Gjatë këqyrjes së kufomës së shtetasit Marjan Marku (Martin Bardhi), në morgun e Spitalit Rrëshen, u konstatua se viktima kishte disa plagë tejshpuese, të shkaktuara nga predhat e armës së zjarrit, në pjesën e gjoksit, nga ana e majtë, në mënyrë të theksuar, në shpatullën e djathtë, në bark, në kofshë dhe gjurin e majtë. Në rrobat e viktimës gjatë zhveshjes u gjet edhe një pjesë metalike, si ato që i përkasin pjesëve përbërëse të predhës së armës së zjarrit.
Si ndodhi ngjarja
Atentati ndaj Martin Bardhit u regjistrua paraditën e 26 shtatorit, rreth orës 10:40. Viktima ka qenë duke konsumuar kafen në lokalin e tij në qendër të Rreshenit, i shoqëruar nga tre persona. Konkretisht Oltion Gjini, ish-drejtor në bashkinë e Mirditës, Ilir Bardhoku, pronar i një lokali aty dhe Indrit Bardhi, ky i fundit me lidhje gjaku me viktimën.
Dy autorët e ngjarjes, të maskuar dhe me kallashnikov janë afruar në tavolinën ku qëndronte viktima dhe kanë hapur zjarr ndaj duke e lënë të vdekur në vend. Gjithçka që lanë pas ishin njollat e gjakut në tokë, gota e filxhanë të thyer, një viktimë dhe tre të plagosur që u ndodhën në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.
Dyshimet për hakmarrje dhe kontrollet në shtëpinë e Saimir Reçit
Pas ngjarjes Policia ka kryer kontrolle në shtëpinë e Saimir Reçit, të cilit më 26 mars të këtij viti iu bë atentat në dalje të Rreshenit. Sipas Policisë autorë të dyshuar të ngjarjes ishte Martin Bardhi dhe i biri Enrik Bardhi, i cili vijon të jetë në arrati. Martin Bardhi kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu i Shënkollit ku qëndroi si i dyshuar për atentatin ndaj Reçit. Por ky i fundit nuk ndodhej në banesë në momentin e mbërritjes së Policisë.
Pista që mund të lidhet me atentatin e dështuar ndaj Reçit është e vetmja ku po heton Policia. Ndërkohë ngjarja është rregjistruar të njëjtën ditë që dyshohet se Bardhi i bëri atentat Saimir Reçit.
Si nisi saga e hakmarrjeve
Gjithçka ka nisur më 26 maj të këtij viti teksa Saimir Reçi, (Nipi i Kastriot Reçit, i ekzekutuar në vitin 2020) ka pasur një konflikt verbal me Enrik Bardhin, djalin e viktimës, shkak ishte bërë një parakalim me makinë në rrugën kryesore të qytetit. Debati verbal mes tyre ka eskaluar në përleshje fizike. Menjëherë pas sherrit Enrik Bardhi ka shkuar në banesën e tij dhe ka marrë automatikun për të vrarë bashkëmoshatarin e tij. Bashkë me të ka ikur dhe viktima, Martin Bardhi.
Ata i kanë zënë pritë Saimir Reçit në dalje të Rreshenit dhe kanë hapur zjarr ndaj tij. Ai nuk pësoi lëndime pasi makina ishte e blinduar. Për shkak të të shtënave ai humbi kontrollin e mjetit dhe doli jashtë rruge ku dhe u përplas./Zëri