KOSOVË- Në Kosovë vijojnë prej disa ditësh protestat kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar zhvillimin e protestave në disa qytete të Kosovës. Tubimet, të thirrura nën moton “Jo në emrin tim”, do të zhvillohen gjatë ditës së sotme.
Sipas njoftimit të “Liria ka Emër”, tubimet do të zhvillohen në qytetet ku veprojnë degët e OVL UÇK-së, por në orare të ndryshme:
-Podujevë – ora 17:00, Sheshi “Zahir Pajaziti”;
-Prizren – ora 19:00, Shadërvan;
-Istog – ora 17:00, Parku i Qytetit;
-Rahovec – ora 17:00, Sheshi i Qytetit;
-Kaçanik – ora 17:30, Sheshi i Qytetit;
-Drenas – ora 17:30, Sheshi “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”;
-Deçan – ora 17:00, Qendra e Qytetit;
-Gjilan – ora 17:00, Para Teatrit të Qytetit;
-Mitrovicë – ora 17:00;
-Prishtinë – ora 21:00, Sheshi “Skënderbeu”.
Protestat janë shtrirë edhe në Europë. Sot, 25 shtator, nis një valë protestash në diasporë, ndërsa kulmi i kësaj vale protestash pritet më 1 tetor në Prishtinë, me marshin e paralajmëruar në sheshin “Skënderbeu”.
Protesta të njëpasnjëshme nisën të zhvillohen pas vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së, vendim që ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e procesit gjyqësor në Hagë. Më 16 shtator katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vite burgim në total nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim./ZËRI