
SHBA- Një familje në SHBA është ribashkuar me macen e tyre pasi kjo e fundit përfundoi aksidentalisht mijëra kilometra larg shtëpisë. Galeana u zhduk nga shtëpia e saj në Utah në fillim të këtij muaj, por u gjet në një pako të dërguar me "Amazon".
Sipas BBC, macja ishte në gjendje të mirë shëndetësore, pavarësisht se prej ditësh nuk kishte ushqim apo ujë.
"Galeana i do shumë kutitë, është pjesë e personalitetit të saj,"- tha Carrie Clark, pronarja e maces kur iu desh të shpjegonte se përse kafsha e saj shtëpiake kishte përfunduar kaq larg nga shtëpia.
Pasi punëtori i Amazon e gjeti brenda kutisë, e çoi tek veterineri. Atje, mikroçipi i maces u skanua dhe u shfaqën detajet e kontaktit të zonjës Clark. Veterineri më pas e telefonoi për t'i shpjeguar se çfarë kishte ndodhur.
"Unë nuk e besova në fillim dhe mendova se ishte një shaka," shtoi ajo, megjithatë më pas iu desh të fluturonin më shumë se 1000 milje për të shkuar në Kaliforni dhe për të marrë macen e tyre.
"Ishte një ribashkim i mrekullueshëm! Galena menjëherë pushoi së dridhuri dhe u qetësua në krahët e mi."
Për fat të mirë për macen, një nga anët e kutisë ishte e hapur, kështu që kishte ajër për të marrë frymë. Po ashtu, u favorizua edhe nga kushtet e motit pasi ajo as nuk ngriu dhe as nuk vuajti nga nxehtësia./ZËRI