HAGË- Këtë të hënë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon seanca për deklaratat përfundimtare në çështjen ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Seanca ka nisur në orën 10:30, me përballjen e palëve përmes përgjigjeve dhe komenteve mbi deklaratat përfundimtare lidhur me akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Në kuadër të deklaratave përfundimtare, Prokuroria e Specializuar ka kërkuar: 6 vite burgim për Hashim Thaçin, nga 3 vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, ndërsa për Hajredin Kuçin ka kërkuar 9 muaj burgim.
Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, pritet të dalin para Dhomave të Specializuara më 16 shtator, kur do të shpallet aktgjykimi përfundimtar në procesin gjyqësor që ka zgjatur mbi tre vjet.
Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020, ndërsa Prokuroria i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat ata i kanë mohuar. Sipas aktakuzës, të akuzuarit mbajnë përgjegjësi edhe për veprimet e personave nën komandën e tyre. Gjatë procesit gjyqësor janë shqyrtuar qindra prova dhe janë dëgjuar dëshmitarë nga të dyja palët./ZËRI