KOSOVË- Kryeministri i rizgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, prezantoi sot programin qeverisës, pak para votimit në Kuvend. Nga foltorja e Kuvendit, Kurti deklaroi se programi qeverisës është i fokusuar tek zhvillimi ekonomik dhe forcimi i mbrojtjes.
Ndër pikat kryesore të programit është rritja e pagës mesatare në sektorin publik deri në 1 mijë euro. Kurti premtoi gjithashtu zbatimin e pagës së 13-të edhe në sektorin privat, si dhe planifikimin e pagës së 14-të.
Një tjetër masë e njoftuar është rritja e shtesave për fëmijët. Sipas Kurtit, për familjet me tre ose më shumë fëmijë, shtesa do të dyfishohet, nga 45 në 90 euro për çdo fëmijë.
Për pensionistët që kujdesen për nipërit dhe mbesat nga 13 deri në 36 muaj, në rastet kur të dy prindërit janë në punë, Kurti njoftoi një shtesë prej 100 eurosh në muaj.
Sa i përket ekonomisë, Kurti tha se qeveria synon të nisë një transformim të madh industrial, përmes krijimit të një programi prej 1 miliard eurosh për prodhimin dhe industrinë. Lidhur me këtë, sipas Kurtit, Banka Zhvillimore do të financojë projekte strategjike dhe do të mbështesë ndërmarrjet e vogla e të mesme, si edhe prodhuesit dhe eksportuesit.
Mbrojtja do të jetë një tjetër prioritet i qeverisë së re. Kurti premtoi se gjatë katër viteve të ardhshme do të investohen mbi 1 miliard euro për ushtrinë, ndërsa industria ushtarake do të fokusohet në prodhimin e municioneve, dronëve dhe robotëve.
Ndërsa në politikën e jashtme, synimi është i qartë, sipas tij: deri në vitin 2030, Kosova të përmbyllë kapitujt e integrimit në Bashkimin Evropian dhe të avancojë në procesin e anëtarësimit.
Në programin e qeverisë së re të prezantuar nga Kurti, përfshihet edhe angazhimi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, ndërsa në fokus do të jenë edhe disa projekte të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë autostradën e Gjilanit, rrugën Prizren-Tetovë dhe rrugën e Dukagjinit./ZËRI