TURQI- Turqia do të ndalojë aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç sipas një ligji të ri që hyn në fuqi më 1 nëntor. Vendimi synon të vendosë kufizime më të forta për përdorimin e platformave online nga të miturit, duke u kërkuar kompanive të marrin masa konkrete për zbatimin e tij.
Ligji i publikuar të shtunën pas miratimit nga Parlamenti turk në prill detyron platformat e rrjeteve sociale të zbatojnë mekanizma për verifikimin e moshës së përdoruesve. Sipas dispozitave të reja, kompanitë duhet të ndërmarrin masa teknike dhe administrative për të penguar aksesin e fëmijëve që nuk kanë mbushur 15 vjeç.
Rregullat nuk kufizohen vetëm te kjo grupmoshë. Për përdoruesit mbi 15 vjeç ligji parashikon gjithashtu kufizime ndaj shërbimeve që mund të krijojnë varësi, duke synuar të vendosë më shumë kontroll mbi përmbajtjen dhe mënyrën e përdorimit të platformave digjitale.
Vendimi i Ankarasë vjen në një kohë kur kufizimi i përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët po kthehet në një çështje të rëndësishme për shumë vende. Në Evropë disa shtete po shqyrtojnë masa ligjore për të kufizuar aksesin e të miturve, ndërsa Bashkimi Evropian ka paraqitur një propozim për këtë çështje.
Turqia ka ndërmarrë edhe më parë masa kufizuese ndaj platformave online. Në vitin 2024, autoritetet bllokuan për rreth një javë Instagramin, në një periudhë kur pati pretendime për kufizimin e përmbajtjeve që lidhej me vdekjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh.
Ndërkohë, edhe vende të tjera jashtë Evropës po shqyrtojnë kufizime të ngjashme. Kanadaja ka paraqitur një projektligj që synon të kufizojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç./ZËRI