SERBI-Milan Radoiçiç, i kërkuar nga Interpoli në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, është shfaqur në një tubim parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), në Kragujevc të Serbisë.
Sipas televizionit serb N1, Radoiçiç është parë në shoqërinë e Danilo Vuçiçit, djalit të ish-presidentit serb Aleksandër Vuçiç, në mesin e pjesëmarrësve në tubim. Radoiçiç ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ngjarja konsiderohet një nga incidentet më të rënda të sigurisë në Kosovën e pasluftës. Gjatë sulmit, një grup i armatosur serb i zuri pritë policisë së Kosovës. Autoritetet në Prishtinë e kanë cilësuar ngjarjen si akt terrorist, duke deklaruar se synimi ishte destabilizimi i vendit dhe aneksimi i pjesës veriore të Kosovës.
Pavarësisht se Radoiçiç ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ai dhe disa persona të tjerë të akuzuar për përfshirje në ngjarje vijojnë të jenë të lirë në Serbi. Pas marrjes në pyetje në Beograd në vitin 2023, Radoiçiç u la i lirë.
Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviçin dhe Vladimir Toliçin, ndërsa Dushan Maksimoviçin e dënoi me 30 vjet burg. Ata janë mes 42 personave të akuzuar për sulmin në Banjskë, ku përfshihet edhe Radoiçiç.
Shfaqja e tij në një tubim të partisë në pushtet në Serbi rikthen në vëmendje çështjen e përgjegjësisë penale për sulmin dhe faktin se personat e akuzuar që ndodhen në Serbi nuk janë dorëzuar ende te drejtësia e Kosovës.