Bota

Integrimi evropian në pikëpyetje, Serbia përballet me bllokimin e negociatave

Komisioni Evropian pritet të publikojë në fund të tetorit dokumentet për vendet kandidate që kanë shënuar përparim, ndërsa Serbia mbetet jashtë kësaj nisme.

M.K.
Integrimi evropian në pikëpyetje, Serbia përballet me bllokimin e
marta kos

Serbia nuk do të përfshihet në udhërrëfyesit e rinj të Bashkimit Evropian për anëtarësimin në një tjetër sinjal se procesi i integrimit të Beogradit po përballet me pengesa të konsiderueshme.

Komisioni Evropian pritet të publikojë në fund të tetorit dokumentet për vendet kandidate që kanë shënuar përparim, ndërsa Serbia mbetet jashtë kësaj nisme. Komisionarja për Zgjerim Marta Kos ka theksuar se autoritetet serbe duhet të përmbushin më shumë kushte dhe të dëshmojnë vullnet konkret për të avancuar drejt BE-së.

Një nga çështjet kryesore mbetet përafrimi i politikës së jashtme të Serbisë me atë të Bashkimit Evropian, veçanërisht për qëndrimin ndaj Rusisë dhe sanksioneve. Paralelisht Brukseli vijon të shprehë shqetësime lidhur me sundimin e ligjit dhe zbatimin e reformave.

Beogradi nuk ka hapur kapituj të rinj negociues që nga dhjetori i vitit 2021 dhe e ka thelluar ngecjen e procesit të anëtarësimit. Sipas Strahinja Subotiqit nga Qendra për Politika Evropiane në Beograd lënia jashtë udhërrëfyesve përbën një paralajmërim serioz dhe mund të ndikojë edhe në mundësitë e Serbisë për të përfituar nga integrimi gradual me BE-në.

Ndërkohë Komisioni Evropian pritet të miratojë paketën e zgjerimit më 28 tetor, ndërsa zhvillimet politike në Serbi dhe zgjedhjet e parakohshme të paralajmëruara për 25 tetor mund të ndikojnë në ecurinë e mëtejshme të marrëdhënieve me Brukselin./ZËRI

Poll

MOS HUMB