Qytetërim

Bie "Microsoft Outlook"! Miliona njerëz pa akses në email

Shërbimet duke përfshirë Teams, Outlook dhe softuerin e inteligjencës artificiale të Microsoft, Copilot, janë prekur nga "probleme me lidhjen"

F.I
Bie "Microsoft Outlook"! Miliona njerëz pa akses në email
foto ilustruese

SHBA-Një ndërprerje globale e Microsoft ka prekur miliona përdorues. Shërbimet duke përfshirë Teams, Outlook dhe softuerin e inteligjencës artificiale të Microsoft, Copilot, janë prekur nga "probleme me lidhjen". Microsoft thotë se shkaku ishte "ngarkesa e lartë" në infrastrukturën e tij. Përdoruesit nuk mund të dërgojnë apo të marrin email.

“Something went wrong” shfaqet gjatë shfletimit të Outlook.

"Ne e vlerësojmë durimin e klientëve tanë ndërsa po punojmë për të rivendosur shërbimet sa më shpejt të jetë e mundur", tha një zëdhënës i Microsoft.

Ndërprerja ka prekur edhe kompani të tjera, përfshirë gjigantët e inteligjencës artificiale Anthropic dhe OpenAI, të cilat punojnë me sistemet e Microsoft. OpenAI, krijuesi i ChatGPT, tha se po hetonte një problem që ndikonte në lidhjet e saj me shërbimet e Microsoft, gjë që ka bërë që disa mjete të mos funksionojnë siç pritej.

 Ajo që nisi si një ndërprerje e shërbimeve elektronike në Shtetet e Bashkuara u shndërrua në një problem ndërkombëtar, me pasoja nga sektori bankar deri te administrata shtetërore dhe sistemi gjyqësor. Në Australi, institucione shtetërore dhe struktura të sistemit të drejtësisë u përballën me pengesa në veprimtarinë e tyre. Probleme pati edhe në shkolla, ku u vështirësua zhvillimi i mësimit online, si dhe në biznese që përdorin platformat e Microsoft për faturimet dhe administrimin e aktivitetit.

Pasojat u shtrinë edhe në qendrat kryesore financiare të Azisë. Në Hong Kong, punonjës të bankave ndërkombëtare mbetën pa mundësi komunikimi përmes emailit dhe Teams, duke u detyruar të kërkonin alternativa për vijimin e punës. Në Japoni, vështirësitë në përdorimin e sistemeve elektronike detyruan disa institucione të përdornin dokumente fizike për të mos ndërprerë aktivitetin. Ndërkohë, në Filipine, sistemi gjyqësor paralajmëroi vonesa në komunikimet elektronike dhe në procedurat që kërkonin përdorimin e shërbimeve të prekura. Efekti i defektit u pasqyrua edhe në aktivitetin ekonomik. Kompania amerikane Workhorse Group u detyrua të shtynte publikimin e rezultateve të saj financiare, duke e lidhur këtë vendim me problemet teknologjike. Microsoft nuk arrin të stabilizojë plotësisht sistemet

MOS HUMB