TIRANË-Nesër pritet të mbahet Asambleja e Partisë Socialiste. Mbledhja do të mbahet jashtë Tiranës, në një resort në Gjirin e Lalzit në orën 10:30. Asambleja pritet të shoqërohet me zhvillime të rëndësishme politike, nga riorganizimi i drejtuesve politikë në qarqe deri te mundësia e ndryshimeve në kabinetin qeveritar.
Gazetari, Muhamed Veliu, për TopStory zbuloi detaje rreth diskutimeve në takim. Veliu deklaroi se pritet të diskutohen nga kryeministri Edi Rama, kandidaturat e mundshme për bashkitë Tiranë dhe Shkodër, si dhe qëndrimin ndaj çështjes së Erion Veliajt.
“Në këtë asamble pritet që Rama të dublojë drejtuesit politikë nga 12 në 24. Rama mendon se ka gjetur dy kandidatura të përshtatshme sa i përket Tiranës dhe Shkodrës. Mund të kemi edhe dy ministra që do të sakrifikojnë për të lënë postet për kryebashkiak. Diskutohet për Ervin Demon për Tiranën dhe Enea Karakaçi mund të kandidojë në Shkodër në një duel me Kliti Hotin. Socialistët presin me interes nëse Rama do të thotë diçka në lidhje me problemin me Veliajn, dihet varianti i Gogut, por asnjë version të Ramës dhe një qëndrim të tij. Ato çka Erion Veliaj do të donte t’ia thoshte Asamblesë mund t’i kemi përmes një letre të gjatë,"- u shpreh gazetari.
Sa i përket kreyebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ky i fundit kërkoi përmes një shkrese zyrtare, drejtuar SPAK-ut dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi, që të ishte pjesë e Asamblesë. Veliaj kërkoi se nëse nuk është e mundur pjesëmarrja fizike, t'i mundësohet ajo përmes një video-konference.
Asambleja e PS zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa javët e fundit vendi është përfshirë nga protesta të studentëve, të cilat janë shoqëruar me përplasje fizike, incidente dhe akte dhune. Ndryshime, emra kandidatësh për zgjedhjet e 9 majit 2027 apo porosi ...gjithçka pritet të sqarohet nesër./ZËRI