TIRANË-Këshilli i ministrave miratoi në mbledhjen e 12 nëntorit ndryshimet në ligjin për sigurinë kibernetike. Me ndrishimet dhe shtesat në ligjin nr. 25/2024 “Për sigurinë kibernetike”, parashikohet krijimi i një grupi të posaçëm për inteligjencën kibernetike, detyrime të reja për operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, si dhe gjoba për mosrespektimin e tyre.
Sipas projektligjit, grupi i bashkëpunimit për inteligjencën kibernetike do të përbëhet nga përfaqësues të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, Shërbimit Informativ të Shtetit, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Rregullat e organizimit dhe funksionimit të grupit, si dhe procedurat e shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit ndërinstitucional, do të miratohen me urdhër të Kryeministrit.
Operatorët kanë detyrim të deklarojnë mënyrën e administrimit të sistemeve, rrjeteve dhe infrastrukturës së informacionit pranë Autoritetit. Informacioni i paraqitur duhet të jetë i saktë, i plotë dhe i përditësuar. Deklarimi duhet të përfshijë identifikimin e subjektit që ofron hostimin ose administron infrastrukturën teknologjike, llojin dhe vendndodhjen e saj, si dhe masat teknike e organizative të zbatuara.
Projektligji parashikon edhe sanksione administrative për shkeljet e këtyre detyrimeve. Për mosdorëzimin në afat të vetëdeklarimit dhe mosdeklarimin e mënyrës së hostimit dhe administrimit të sistemeve, gjobat parashikohen nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë. Ndërsa për paraqitjen e të dhënave të pasakta, të paplota ose të papërditësuara në vetëdeklarim, gjoba varion nga 200 mijë deri në 1 milion lekë.
Gjobat e parashikuara për moszbatimin e masave të kërkuara nga Autoriteti për identifikimin, filtrimin, kufizimin, bllokimin ose neutralizimin e treguesve të komprometimit dhe sulmeve kibernetike variojnë nga 500 mijë deri në 1 milion lekë.
Projektligji për ndryshimet në ligjin nr. 25/2024 “Për sigurinë kibernetike” është propozuar nga Këshilli i Ministrave për shqyrtim dhe miratim në Kuvend. Ai parashikon që, pas miratimit dhe botimit në Fletoren Zyrtare, të hyjë në fuqi 15 ditë më vonë.