TIRANË- Gjatë ditës së sotme nëntë vatra zjarri janë ndjekur në zona të ndryshme të vendit, ndërsa sipas Ministrisë së Mbrojtjes situata paraqitet e stabilizuar dhe aktualisht nuk raportohet asnjë rrezik për zonat e banuara.
Ndërhyrja e koordinuar e strukturave operacionale nga toka dhe ajri ka bërë të mundur shuarjen e disa vatrave dhe izolimin e të tjerave.
Në Dajt dhe Priskë zjarret janë shuar, ndërsa në Çikallesh të Kavajës dhe në Riban, Ngraçan e Panahor të Mallakastrës, flakët janë izoluar plotësisht dhe zonat vijojnë të mbahen nën monitorim.
Situatë më e vështirë është paraqitur në Plan të Bardhë të Klosit, ku zjarri, i favorizuar nga era, kishte zgjeruar perimetrin dhe kishte rrezikuar banesa dhe infrastrukturën elektrike. Pas angazhimit të forcave zjarrfikëse, Policisë së Shtetit, strukturave vendore, vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura, situata është vendosur nën kontroll.
Ndërkohë, në Kostren 2 të Beratit dhe Uruç të Peqinit, vatrat janë shuar plotësisht. Një tjetër vatër është raportuar në Alikomemaj të Memaliajt, ku në terren janë dërguar forcat zjarrfikëse.
Njoftimi:
Ministria e Mbrojtjes - përditësim për situatën e zjarreve
Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë ditës së sotme janë ndjekur 9 vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit.
Falë ndërhyrjes së koordinuar të strukturave operacionale nga toka dhe ajri, situata është përmirësuar ndjeshëm dhe aktualisht nuk raportohet asnjë situatë problematike apo rrezik për zonat e banuara.
Në Dajt, pas ndërhyrjes së forcave të MZSH-së, ADZM-së dhe mbështetjes së helikopterit të Forcës Ajrore, zjarri raportohet i fikur dhe zona po mbahet në monitorim. Në Priskë, vatra është shuar plotësisht.
Në Çikallesh, bashkia Kavajë, ndërhyrja e forcave zjarrfikëse nga Kavaja, Kamza dhe Rrogozhina, e mbështetur nga ajri me avionin “Air Tractor”, bëri të mundur izolimin e plotë të vatrës. Zona po mbahet në monitorim.
Në Riban, Ngraçan dhe Panahor, bashkia Mallakastër, zjarri është izoluar plotësisht në të gjithë perimetrin dhe zona po mbahet nën mbikëqyrje.
Në Plan të Bardhë, bashkia Klos, zjarri i favorizuar nga era kishte zgjeruar perimetrin dhe kishte rrezikuar banesa dhe infrastrukturën elektrike. Pas angazhimit të forcave zjarrfikëse të disa bashkive, Policisë së Shtetit, strukturave vendore, vullnetarëve dhe 25 efektivëve të Forcave të Armatosura, situata është vendosur nën kontroll.
Në Kostren 2, bashkia Berat, zjarri është shuar plotësisht pas ndërhyrjes së MZSH-së dhe forcave mbështetëse. Është shuar plotësisht edhe vatra në Uruç, bashkia Peqin.
Në Alikomemaj, bashkia Memaliaj, është raportuar një vatër në një sipërfaqe me pisha dhe në terren janë dërguar forcat e MZSH-së Memaliaj.
Në tërësi, situata paraqitet e stabilizuar, pa vatra problematike që të rrezikojnë komunitetin apo zonat e banuara.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e zonave të prekura dhe ndërhyrjen aty ku është e nevojshme./ZËRI