TIRANË- Sot shënohet dita e 69-të e protestës kombëtare, e cila mbahet prej datës 31 maj, menjëherë pas incidenteve të ndodhura në Zvërnec.
Qytetarët janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbej”, ashtu si edhe në ditët e kaluara. Më pas, ata pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, duke përshkuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me pankarta dhe thirrje të ndryshme.
Në protestë marrin pjesë qytetarë të grupmoshave të ndryshme, të bashkuar nga një qëllim i përbashkët.
Ashtu si në ditët e mëparshme, edhe sot pritet të mbahen fjalime përpara godinës së Kryeministrisë, ku qytetarë të ndryshëm do të përcjellin kërkesat e tyre.
Pesë kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI