
MEMALIAJ- Përveç pyllit të Sodës, një tjetër vatër zjarri është aktivizuar pranë fshatit Gllavë të Memaliajt. Zjarri ka përfshirë një masiv me pisha pranë një zone të banuar, ku si pasojë është dëmtuar edhe rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike. Për shkak se është dëmtuar edhe rrjeti i energjisë, disa fshatra kanë mbetur në errësirë totale.
Deri më tani, dyshohet se zjarri është vendosur nga gjahtarë të paligjshëm të zonës dhe tani ka marrë përmasa të rrezikshme, edhe për banesat e tyre. Zjarri mendohet se është vendosur prej tyre për të bërë më të lehtë kapjen e derrave të egër, edhe pse gjuetia ndaj tyre është e ndaluar me ligj. Për të përforcuar këtë teori, banorët e zonës kanë bërë me dije se para zjarrit kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në zonë.
Kur e vunë re se zjarri ka marrë përmasa më të mëdha, nanorët kanë njoftuar zjarrfikëset nga Tepelena dhe Gjirokastra, pasi nuk kanë pasur mundësi të ndërhyjnë vetë./ZËRI