ITALI- Detaje të reja kanë dalë në dritë në bazë të hetimeve për vrasjen e 55 vjeçarit shqiptar Mikel Rroku në Torino të Italisë. Trupi i tij u gjet më 6 korrik 2026 në apartamentin ku jetonte në rrugën Verolengo 185 pasi fqinjët njoftuan autoritetet për shkak të një ere të rëndë që vinte nga banesa.
Kur mbërritën në apartament, karabinierët gjetën trupin e Rrokut në gjendje të avancuar dekompozimi. Ekzaminimet e para mjeko-ligjore zbuluan dëmtime të rënda në kafkën e 55-vjeçarit duke ngritur dyshimet se vdekja kishte ardhur si pasojë e një sulmi të dhunshëm.
Pas disa muajsh hetime, autoritetet italiane kanë arrestuar dy persona që dyshohet se janë të përfshirë në vrasje. Bëhet fjalë për një grua 45-vjeçare dhe një burrë 52-vjeçar, të dy shtetas italianë.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Torinos, gruaja e arrestuar ishte bashkëshortja e Mikel Rrokut, ndërsa 52-vjeçari ishte partneri i saj i ri. Të dy dyshohen për vrasje të paramenduar dhe të rënduar.
Prokuroria dyshon se 55-vjeçari është vrarë me çekiç, ndërsa dinamika e saktë e ngjarjes dhe motivi që qëndron pas krimit vijojnë të jenë pjesë e hetimit.
Hetimi po koordinohet nga prokurorja Lea Lamonaca e Prokurorisë së Torinos. Autoritetet kanë mbledhur prova në vendin e ngjarjes dhe po analizojnë dëshmitë e personave që mund të kenë dijeni për rrethanat e vdekjes së shqiptarit.
Mikel Rroku jetonte në zonën Lucento të Torinos dhe ishte i njohur në komunitetin lokal edhe për aktivitetin e tij të mëparshëm si shef kuzhine dhe picier. Gjendja e avancuar e trupit kur u gjet e ka bërë më të vështirë rindërtimin e menjëhershëm të ngjarjes.
Me arrestimin e dy të dyshuarve hetimi ka hyrë në një fazë të re, ndërsa autoritetet italiane vijojnë punën për të sqaruar rolin e secilit dhe rrethanat e plota të vrasjes së 55-vjeçarit.
Të dy të arrestuarit ndodhen në burg në pritje të procedurave gjyqësore, ndërsa përgjegjësia përfundimtare për krimin do të përcaktohet nga gjykata.
Më 6 korrik 2026, një erë e fortë që vinte nga një apartament në 'Via Verolengo 185' në Torino i shtyu fqinjët të kontaktonin autoritetet. Brenda, karabinierët zbuluan trupin e dekompozuar të shqiptarit Mikel Rroku, 55 vjeç./ZËRI
