
LEZHË- Ditën e djeshme janë arrestuar tre persona në Lezhë pasi dyshohet se po përgatiteshin të kryenin një vrasje. Bëhet fjalë për Vinçesk Pirolin, Kristian Ymerin i njohur me nofkën 'Shkambi' dhe Elden Tarjan të cilët dyshohet se kishin planifikuar një vrasje, por nuk arritën ta realizonin.
Vrasja ishte planifikuar të kryhej në orët e mëngjesit, por plani dështoi pasi personat e dyshuar nuk arritën ta identifikonin. Lëvizjet e tyre me një motor të vjedhur janë gjithashtu pjesë e hetimeve që po zhvillohen për të zbardhur plotësisht rastin.
Përveç dyshimeve për përgatitjen e vrasjes hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë e lidhjeve të të arrestuarve me një grup të dyshuar për vrasje me pagesë. Për këtë çështje ka shfaqur interes edhe SPAK me qëllim verifikimin nëse ekzistojnë elemente që mund të çojnë drejt një hetimi për grup të strukturuar kriminal.
Aktualisht çështja po hetohet nga Policia e Lezhës në drejtimin e prokurorisë përkatëse për veprat penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit, sigurimit të kushteve për kryerjen e vrasjes dhe trafikimit të mjeteve.
Policia arriti të parandalonte vrasjen, ku pasi i mbajtën prej ditësh nën vëzhgim, zbuluan intinerarin e tyre. Konkretisht blutë njoftojnë se Kristian Ymeri (Shkambi), 34 vjeç dhe Vinçesk Piroli, 38 vjeç të armatosur dhe me skafandra, lëviznin me një motomjet të vjedhur në Suedi, në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, për të kryer krimin./ZËRI
