Aktualitet

Në 2023 ra ‘perandoria’ e ish-këshilltarit të Olta Xhaxhkës, Amant Josifi, sot burri i saj në qendër të dosjes italiane të call centerave

Ajo që lidh dy figurat është hetimi për call centerat dhe emri i ish-ministres dhe deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka.

F.I
Në 2023 ra ‘perandoria’ e ish-këshilltarit të Olta
Amant Josifi, Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi

TIRANË- Tre vite pas arrestimit të biznesmenit Amant Josifi, ditët e fundit një dosje nga Italia ka vënë në lëvizje SPAK, ku në fokus të hetimeve është ish-deputeti socialist Artan Gaçi. Ajo që lidh dy figurat është hetimi për call centerat dhe emri i ish-ministres dhe deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka.

Josifi është ish-këshilltari politik i Olta Xhaçkës gjatë kohës që ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa Artan Gaçi bashkëshorti saj.

Arrestimi i Amant Josifit në Dubai në vitin 2023 mori vëmendje të gjerë politike dhe hetimi u shtri dhe në vende jashtë Shqipërisë. Josifi ishte pronari i kompanisë ‘Milton Group’, i cili sipas hetimeve të SPAK në bashkëpunim me ‘Eurojust’ dhe ‘Europol’, konsiderohej personi që drejtonte gjashtë qendra të mashtrimit telefonik në Shqipëri. Grupi i Josifit akuzohet se iu ka zhvatur përmes mashtrimit një shumë prej 6.1 milionë eurosh, shtetasve gjermanë.

Operacioni i madh ndërkombëtar i emërtuar “FRIDA-REFOX” u zhvillua në datat 8 dhe 9 nëntor asokohe në vendin tonë dhe zbuloi se prej e skemës së mashtrimit kanë rënë 200,000 viktima në Evropë, shumica prej tyre në Gjermani, Itali dhe Spanjë.

Policia spanjolle përgjoi 3 milionë emaile që u mundësuan hetuesve të identifikonin dhe lidhnin më shumë se 470 faqe interneti të mbështetura nga qendrat e call-center. Josifi u shpall në kërkim për llogari të Spanjës, ndërsa SPAK arrestoi anëtarët e grupit të tij që operonin në Shqipëri.

Sot dosja italiane me në krye Artan Gaçin, bashkëshortin e Olta Xhaxhkës e lidh atë me aktivitetin e një kompanie që kishte si objekt të shprehur shërbimet e marketingut telefonik dhe call centerave. Më 8 tetor 2026, Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, u paraqit SPAK, i shoqëruar nga avokati Gurali Braimllar.

Në fokus të hetimeve janë dy kompani, RAKEHA dhe SUPREME, dokumentet e të cilave evidentojnë lidhje biznesi mes personave të përfshirë dhe aktivitet në fushën e marketingut telefonik. Sipas dokumenteve të regjistrimit, Gaçi ka qenë ortak i kompanisë RAKEHA që prej themelimit të saj, më 21 shtator 2006 fillimisht me 30% të kuotave. Pjesa tjetër zotërohej nga Idlir Lopçi dhe Gent Agolli. Në janar 2007 kuotat u barazuan në 33,3% për secilin ortak.

Më 14 korrik 2022, Gaçi caktoi Festim Çelën si zotërues aktiv të kuotave të tij, ndërsa vetë u përcaktua si zotërues pasiv. Ndërkohë kompaina   SUPREME, rezulton e themeluar në janar 2017, me objekt reklamimin, marketingun telefonik dhe shërbimet call center.

Dosja e ardhur nga Italia përmban dyshime për pastrim parash dhe aktivitet kriminal, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë transaksione bankare dhe komunikime të zbuluara gjatë procedimeve të tjera./ZËRI

Poll

MOS HUMB