Aktualitet

Zhduket inxhinieri shqiptar pas sulmit me dron në Detin e Zi, babai: Ishin 16 vetë, por vetëm im bir s'gjendet

I riu punonte si inxhinier i dytë në anijen e mallrave 'Aroyat', e cila u sulmua më 27 shtator pranë portit të Novorossiyskut.

M.K.
Zhduket inxhinieri shqiptar pas sulmit me dron në Detin e Zi, babai: Ishin
Erkan Nika

Familja e 28-vjeçarit shqiptar Erkan Nika i cili rezulton i zhdukur pas sulmit me dron ndaj një anijeje turke në Detin e Zi, kërkon ndërhyrjen e institucioneve shqiptare për të zbardhur fatin e tij. Babai i të riut Rexh Nika u bën thirrje autoriteteve që të bashkëpunojnë me institucionet e vendeve përreth për të vijuar kërkimet.

I riu punonte si inxhinier i dytë në anijen e mallrave 'Aroyat', e cila u sulmua më 27 shtator pranë portit të Novorossiyskut. Sipas të atit, në bord ndodheshin 16 anëtarë të ekuipazhit, 15 prej të cilëve u shpëtuan, ndërsa për djalin e tij nuk ka ende asnjë informacion.

Në apelin e tij, Rexh Nika kërkon që spitalet dhe institucionet përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe zonat përreth Detit të Zi të kontrollojnë të dhënat për persona të plagosur apo të paidentifikuar, me shpresën se mund të sigurohet ndonjë informacion për 28-vjeçarin.

“U bëjmë thirrje të gjitha spitaleve, të gjitha institucioneve shëndetësore, policisë, autoriteteve dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe përreth Detit të Zi që të kontrollojnë regjistrat e tyre për pacientë të paidentifikuar, personave të plagosur, ose individë të gjetur në zonat bregdetare të Detit të Zi. Kërkojmë ndihmë nga institucionet shtetërore të Shqipërisë”, tha Nika.

Babai tregoi gjithashtu se kontaktin e fundit me të birin e kishte pasur më 23 shtator, katër ditë përpara sulmit. Në mesazhin e fundit, i riu i kishte shkruar se ndodhej në Detin e Zi.

“Me djalin, mesazhin e fundit e kam ditën e mërkurë më 23 shtator. Në darkë para se të flija, i kam bërë mesazh, një lutje. Ma ktheu përgjigjen të nesërmen në orën 08:39. ‘Jemi në Detin e Zi’, më ka thënë”, tha babai i tij.

Familja Nika jeton në Turqi që prej vitit 1997, ndërsa anija ishte nisur nga porti i Durrësit përpara se të sulmohej. Tashmë, familjarët kërkojnë angazhimin e institucioneve shqiptare për të bashkërenduar verifikimet me autoritetet e huaja dhe për të marrë përgjigje mbi fatin e të riut.

Poll

MOS HUMB