Aktualitet

Drejtoresha dhe nëndrejtori luanin bixhoz gjatë ekskursionit, nxënësit i prisnin në korridor! Kërkohet shkarkimi i tyre

Pas publikimit të akuzave LSDM-ja i ka bërë thirrje ministres së Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevskës të ndërmarrë një mbikëqyrje urgjente dhe të nisë procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë së personave të përfshirë.

M.K.
Drejtoresha dhe nëndrejtori luanin bixhoz gjatë ekskursionit,
foto

MAQEDONIA E VERIUT- Një ekskursion shkollor në Monte Karlo është kthyer në objekt polemikash në Maqedoninë e Veriut pasi partia opozitare LSDM pretendon se drejtoresha dhe ndihmësdrejtori i një shkolle profesionale kanë luajtur në kazino ndërsa nxënësit e mitur që shoqëronin i prisnin në holl.

Sipas mediave maqedonase rasti lidhet me Qendrën Rajonale për Arsim dhe Trajnim Profesional 'Gjorgji Naumov' në Manastir, ndërsa akuzat janë bërë publike nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM). Sipas raportimeve, bëhet fjalë për drejtoreshën Zhaneta Servini dhe nendrejtorin Lupço Zdravkovski të cilët dyshohet se kanë qëndruar në një kazino gjatë ekskursionit shkollor. 

Sipas Jovançe Manaskovit kryetarit të Komisionit për Arsim dhe Shkencë të LSDM-së drejtuesit e shkollës kanë luajtur në makinat elektronike të lojërave të fatit, ndërsa nxënësit e mitur për të cilët ata ishin përgjegjës gjatë udhëtimit i kanë pritur në holl.

“Në vend që të qëndronin me nxënësit, ata luanin në makinat elektronike të fatit në një kazino. Ndërkohë, nxënësit e mitur, për të cilët ata ishin përgjegjës, i prisnin në holl. Ky është një rast imoral dhe për këtë arsye kërkojmë përgjegjësi nga i pari te i fundit”, tha Manaskov.

Përfaqësuesi i opozitës pretendon gjithashtu se partia disponon video-incizime dhe fotografi që lidhen me rastin. Sipas tij, një prej videove pritet të publikohet me fytyrat e turbulluara me qëllim mbrojtjen e identitetit të nxënësve të mitur.

Pas publikimit të akuzave LSDM-ja i ka bërë thirrje ministres së Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevskës të ndërmarrë një mbikëqyrje urgjente dhe të nisë procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë së personave të përfshirë.

“Përgjegjësia në arsim nuk është privilegj, por detyrim. Nga LSDM-ja i bëjmë thirrje ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevskës, që menjëherë të kryejë mbikëqyrjen dhe të nisë procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë dhe shkarkimin e të gjithë personave të përfshirë" u shpreh Manaskovka.

Ende nuk është bërë i ditur ndonjë reagim nga drejtoresha dhe nëndrejtori apo nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës lidhur me pretendimet e ngritura./ZËRI

Poll

MOS HUMB