FIER- Azgan Mërnica i ka shpëtuar burgimit të përjetshëm, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm e ka dënuar me 35 vite burg për vrasjen e efektivit të forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia.
Më herët, Gjykata e Fierit e kishte dënuar Mërnicën me burgim të përjetshëm, por Apeli vendosi ndryshimin e vendimit, duke ulur dënimin në 35 vite heqje lirie.
Ngjarja ndodhi më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit. Konflikti mes viktimës dhe të riut ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, duke u kthyer në rrezik për të gjithë të tjerët.
Pasi e ka parë vetë skenën, Novruz Cenalia i ka tërhequr vëmendjen të riut, por Mërnica nuk e ka marrë "lehtë" kritikën. Menjëherë ka ndaluar makinën e tij, ka zbritur me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe qëlloi me plumb në fytyrë efektivin duke i marrë jetën në vend./ZËRI