TIRANË- Gjykata e Apelit ka shtyrë për më 17 korrik shpalljen e vendimit për Ilir Selmanin, i akuzuar për vrasjen e policit Santiago Malko. Trupa gjykuese pritet të vendosë nëse do të lërë në fuqi apo do të ndryshojë vendimin e mëparshëm, që e dënoi Selmanin me 28 vite burg.
Ilir Selmani u paraqit këtë të hënë në ambientet e GJKKO-së, i shoqëruar nën forca të shumta policie.
Ndërohë, mësohet se gjatë seancës, Selmani ëshë deklaruar i pafajshëm dhe ka mohuar çdo përfshirje me ngjarjen për të cilën akuzohet.
“Jam i pafajshëm, nuk kam asnjë lidhje në këtë ngjarje”, ka deklaruar Ilir Selmani në Apelin e Gjykatës së Posaçme.
Nga ana tjetër, nëna e viktimës Santiago Malko ka kërkuar që vendimi i dënimit me 28 vite burg të lihet në fuqi, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të birit.
“Ky më ka vrarë djalin, të dënohet me 28 vite burg, ose më sillni djalin në shtëpi ta shikoj. Nxirreni jashtë këtë”, është shprehur ajo gjatë seancës.
Më 19 qershor Apeli i Posaçëm vendosi të lirojë Selmanin nga arresti me burg, duke vendosur masën në arrest shtëpie për të dyshuarin. Vetëm një ditë më parë pranë banesës së tij u kap me armë zjarri Emiljano Nina, kushëriri i Ervis Martinajt. Selmanit iu pranua nga gjykata kërkesa për ndryshim të vendbanimit për shkak të kushteve jo të mira ku ndodhet aktualisht.
Ilir Selmani drejtonte njërën prej makinave që bënë ndjekjen e Malkos, ndërsa më pas është kapur nga kamerat e sigurisë duke mbledhur bishtat e cigareve të konsumuara nga Blendi Teta, edhe ky pjestar i klanit Duka sipas prokurorisë. Malko ka qenë ditën e ekzekutimit në spitalin Pediatrik, ku dërgoi djalin e sëmurë duke lëvizur me një makine normale dhe jo të blinduar. Ky ka qenë momenti kur autorët kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga brenda makinës, duke i shkaktuar vdekjen.
Ish-punonjësi i policisë, Santiago Malko, mik i Ervis Martinajt, u vra me dhjetë plumba në makinën e tij mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 pranë zonës së “Porcelanit” në Tiranë. Vrasja e ish-policit u planifikua nga Leonard Duka, vëllai i tij Erlis Duka dhe një skuadër e përbërë nga 7 anëtarë, Ilir Selmani, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku, Xhoni Nica dhe Bledar Teta. Leonard Duka u arrestua në Belgjikë në 14 shkurt të vitit 2023./ZËRI