MALLAKASTËR- Vijon prej disa ditësh beteja me flakët në zonat pyjore të Mallakastrës, ndërsa zjarri është përhapur edhe në territorin e bashkive Patos dhe Roskovec.
Situata në terren mbetet e vështirë, pasi erërat e forta po favorizojnë përhapjen e flakëve dhe njëkohësisht po e komplikojnë punën e forcave zjarrfikëse.
Në zonën e Drenijes, zjarri ka avancuar në disa drejtime, duke bërë që ndërhyrja të përqendrohet në izolimin e vatrave dhe frenimin e përhapjes së tyre.
Për shuarjen e flakëve janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Mallakastrës, Patosit dhe Roskovecit. Ndërhyrja po kryhet si nga toka, ashtu edhe nga ajri, me synim vënien nën kontroll të situatës.
Ekipet në terren vijojnë punën për të kufizuar përhapjen e zjarrit, ndërsa kushtet atmosferike dhe era e fortë mbeten një prej vështirësive kryesore për operacionin e shuarjes./ZËRI