KUKËS- Në pikën kufitare të Morinës është shënuar këtë të diel një fluks i shtuar i automjeteve dhe qytetarëve që hyjnë në territorin shqiptar, në kulmin e sezonit turistik.
Pavarësisht numrit të lartë të lëvizjeve, procesi i kontrollit në sportele po vijon normalisht dhe me kapacitet të plotë. Deri në këto momente, nuk raportohen radhë të gjata automjetesh apo pritje të konsiderueshme për kalimin e kufirit.
Lëvizje të dendura janë evidentuar edhe në pikën kufitare të Vërmicës, në drejtim të Kosovës. Fluksi lidhet kryesisht me qytetarët kosovarë që po përfundojnë pushimet në Shqipëri dhe po kthehen drejt Kosovës, ndërsa një pjesë e lëvizjeve i përket edhe diasporës që udhëton drejt vendlindjes.
Të shumta janë edhe lëvizjet e qytetarëve që kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën ose disa ditë pushimi në Shqipëri dhe tashmë janë duke u kthyer në Kosovë.
Fluksi i automjeteve është reflektuar edhe në Rrugën e Kombit, ku qarkullimi paraqitet i rënduar, veçanërisht në aksin Tuneli i Kalimashit–Kukës–Morinë.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa kontrollet në pikën kufitare po kryhen me kapacitet të plotë për të përballuar lëvizjet e shtuara./ZËRI