KORÇË- Kristjan Sterjo, autori i vrasjes së 21-vjeçarit Jani Sako pasditen e djeshme në Korçë, rezulton të ketë precedentë penalë.
Por historia nuk mbaron këtu. I riu, së bashku me shokët e tij, shfaqej në rrjetet sociale duke u krenuar me sjelljet dhe përfshirjen e tij në ngjarje kriminale. Siç shihet edhe në videon e siguruar, shokët e tij e shfaqin si një lloj “heroi”, në momentin kur i riu del nga gjykata, pasi më herët kishte plagosur një person.
View this post on Instagram
Edhe në dëshminë e dhënë para policisë, Kristjani tregon se “lufton” në lagje për të qenë më i forti.
Pas arrestimit për vrasjen e Sakos, 20-vjeçari ka treguar para uniformave blu se mes tij dhe viktimës kishte pasur konflikte të përsëritura. Sipas tij, përplasjet lidhen me pretendimet e të dyve se kush ishte “më i forti” në lagje.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në një prej pallateve të lagjes nr. 15 në Korçë. Sipas të dhënave paraprake, 21-vjeçari Sako është futur në pallat në përpjekje për t’i shpëtuar sulmit, ndërsa dyshohet se mbante një thikë në dorë. Ai u qëllua me armë zjarri në pjesën e poshtme të shpatullës dhe humbi jetën në vend, në katin e tretë të pallatit. Autori i dyshuar u arrestua vetëm pak orë pas ngjarjes./ZËRI