KRUJË- Ish-kandidati për deputet në qarkun e Durrësit nga opozita, Aulon Kalaja, ka ndarë momente kur disa banorë kthehen në shtëpitë e tyre pas qetësimit të situatës nga zjarri që përfshiu mbrëmë Krujën.
Teksa ora shënonte 05:40 të mëngjesit, disa banorë të lagjes Varosh në Krujë janë kthyer për të parë shtëpitë e tyre, të cilat fatmirësisht kanë shpëtuar nga flakët e mëdha. Në videon e publikuar në rrjetet sociale nga Kalaja, banorët shihen teksa kontrollojnë banesat e tyre, ndërsa dëgjohen të thonë: “Ka shpëtuar çdo gjë”.
“Moment historik tani! Banorët kthehen në shtëpitë e tyre, kanë qëndruar gjithë natën duke luftuar. Tani do shohim shtëpitë, si është situata. Shtëpia është si kokrra e mollës. Kjo ishte shtëpia për të cilën u luftua, këtu kanë hyrë zjarrfikëset. Siç e shikoni, dera është hapur aty ku kanë hyrë zjarrfikëset për të shuar flakët dhe kanë shpëtuar shtëpinë. Shikojmë tani pjesën tjetër të malit, ka pak flakë më sipër, por nuk dallohet, ka tym. Është ora 05:40 e mëngjesit. Uroj që edhe pyjet që janë djegur të zëvendësohen dhe të nisim një iniciativë për zëvendësimin e pyjeve të Krujës, i cili është qyteti më i bukur në botë”, shprehet Aulon Kalaja në video.
View this post on Instagram
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se zjarri në Krujë është vënë plotësisht nën kontroll që prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm. Ministria e Mbrojtjes thekson se një pjesë e mbetur e malit të Krujës vijon të jetë në flakë, por po menaxhohet nga ajri me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore. Po ashtu, dëmi i shkaktuar nga zjarri është vetëm një magazinë biznesi e shkrumbuar dhe, fatmirësisht, asnjë banesë nuk është djegur./ZËRI