KORÇË- Pas arrestimit nga Policia, 20-vjeçari Kristjan Sterjo ka dhënë dëshminë e tij lidhur me vrasjen e 21-vjeçarit Joan Zuko, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme në Korçë.
Në dëshminë e tij të parë para autoriteteve, Sterjo ka deklaruar se mes tij dhe viktimës kishin nisur prej kohësh provokime dhe konflikte, ndërsa sipas tij, përplasjet lidhej me pretendimet se kush ishte “më i forti” në lagje.
20-vjeçari ka treguar gjithashtu se vetëm një ditë para ngjarjes kishte pasur një konflikt verbal me Zukon, i cili ishte pjesëtar i Forcave të Armatosura. Sipas dëshmisë së tij, situata ishte tensionuar më tej pasi pretendon se 21-vjeçari kishte ngacmuar të dashurën e tij.
Lidhur me armën e përdorur në krim, Sterjo ka deklaruar se pas ngjarjes e kishte hedhur pushkën në zonën e njohur si “Fusha e Drurëve”, ku më pas ajo është gjetur dhe sekuestruar nga policia.
Ngjarja ndodhi në një prej pallateve të lagjes nr. 15 në Korçë. Sipas të dhënave paraprake, 21-vjeçari Zuko është futur në pallat në përpjekje për t’i shpëtuar sulmit, ndërsa dyshohet se mbante një thikë në dorë. Ai u qëllua me armë zjarri në pjesën e poshtme të shpatullës dhe humbi jetën në vend, në katin e tretë të pallatit. Kristjan Sterjo rezulton të jetë arrestuar edhe më parë nga policia për një rast plagosjeje me thikë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë./ZËRI

