
POGRADEC- Rreth një muaj nga ngjarja e rëndë që tronditi Pogradecin, ku 42-vjeçari Egli Proga, dyshohet se u dhunua për vdekje nga disa persona, Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka përfunduar ekspertimin mjeko-ligjor për shkaqet e vdekjes së viktimës. Sipas akt-ekspertimit që është bërë nga IML, konstatohen dëmet që janë parë në trupin e viktimës, si në ballë, në hundë, vesh, në faqe, në supin e majtë, të cilat dyshohet se janë shkaktuar me mjet të fortë mprehës, siç mund të jetë edhe goditja me grusht.
Sipas aktit të ekspertimit,shkaku i vdekjes së 42 vjeçarit është : “hemorragji në cipën e trurit dhe hemorragji e indit trunor”.
“Nē mostrën e gjakun të viktimës u zbulua prani e alkoolit etilik në vlerën mesatare 2.82 g/ L”, thuhet nē akt-ekspertim .
Akt- ekspertimi mjeko-ligjor i është dërguar Prokurorisë së Korçës e cila po vijon hetimet për vrasjen e Egli Progës. Policia arrestoi si autor të vrasjes Denis Meçen, me akuzën e vrasjes me dashje dhe proçedoi për moskallëzim krimi Voltan Shkulaku, Leonidha Guçe, Arjan Manellari.
Por Prokuroria e Korçës, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, lehtësoi akuzën për Denis Meçen nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia, çfarë solli përplasje mes policisë dhe Prokurorisë së Korçës. Rreth orës 19:09 të 10 gushtit, është marrë njoftimi se në afërsi të vendit quajtur “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjja nr.2 në Pogradec, është gjetur një person i shtrirë pa ndjenja, i cili pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale, është identifikuar si Egli Proga. Policia fillimisht e raportoi ngjarjen si aksidentale, me pretendimin se Proga kishte ndërruar jetë, pasi ishte rrëzuar në tokë në gjendje të dehur. Sipas Prokurorisë, Proga, baba i dy fëmijëve, është dërguar në spital pa shenja jete. Gjykata ka lënë në burg autorin, Denis Meçe dhe dha masën “detyrim paraqitje” për Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç. Familja e Progës ka kërkuar drejtësi, ndërkohë që në kujtim të viktimës, dhe kauzës së familjes, edhe në Tiranë u mbajt një protestë./ZËRI