Aktualitet

Të gjithë kundër të gjithëve! PSH përplaset me Prokurorinë e Korçës, merr në mbrojtje efektivin Artur Lilo: S'ka lidhje me hetimin e vrasjes së Progës

Si nisi "ping-pong-u" mes institucioneve?

k.m.
Të gjithë kundër të gjithëve! PSH përplaset me
Egli Proga dhe Denis Meçe

TIRANË- Vrasja e Elgi Progës, përveç reagimit publik ka sjellë edhe përplasjen e institucioneve në vend. Prokuroria e Korçës akuzoi dje se inspektori i Policisë, Artur Lilo nuk e kishte dokumentuar vrasjen, ndërsa përgjigjia iu dha sot me një reagim zyrtar nga ana e Policisë së Shtetit. Por kjo nuk është përplasja e parë pasi institucionet kanë disa ditë që "luajnë" për të pasuar fajin.

Por si nisi "ping-pong-u" mes institucioneve?

Data 13, autori del në gjykatë

Autori i ngjarjes u la në burg nga Gjykata e Korçës, me akuzën e 'Vrasjes nga Pakujdesia', në këtë rast dënohet me gjobë, ose maksimumi me 5 vite heqje lirie. Bashkëpunëtorët e Denis Meçes, Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, të arrestuar për moskallëzim krimi, u lanë me masën 'detyrim paraqitje'. Për akuzën, reagimin e parë e bëri "Nisma Thurje" duke njoftuar se do të kallëzojë në SPAK çdo prokuror dhe gjyqtar që bëhet palë me kriminelët, pasi në këtë ngjarje, akuza duh4et të ishte tjetët.

"Vrasja ka ardhur si mënyrë për t'i marrë pasurinë, në formë gjobe, atëherë është qartazi "shtrëngim me anë të dhunës për të marrë pasurinë". Kjo vepër, parashikohet nga Neni 109/b i Kodit Penal, dhe dënimi është eksplicit: 'burgim i përjetshëm'. Të dënosh me gjobë një kriminel që duhet të dënohej me burgim të përjetshëm, nuk ka si të jetë tjetër veçse shkelje e ligjit,"-bëhet me dije në njoftim.

14 gusht, reagon Policia

Në një konferencë me mediat pikërisht lidhur me këtë ngjarje, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha se nga ana e Policisë, akuza e ngritur ishte ajo e "vrasjes me dashje", duke shtuar se çfarë ka ndodhur më pas i takon institucioneve të drejtësisë, Prokurorisë dhe Gjykatës. Për akuzën e ngritur nga Prokuroria, një reagim erdhi edhe nga kryeministri Edi Rama. Disa herë në rrjetet e tij sociale, kreu i qeverisë u shpreh i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria.

"“Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral,"-shkruan në rrjetet e tij sociale kryeministri.

Pas gjithë këtyre sulmeve, pasdite vonë, me një sqarim doli edhe Prokuroria e Korçës duke pretenduar se e gjiithë ngjarja u raportua e pasaktë nga vetë strukturat e Policisë së Shtetit. Kur Muhamet Rrumbullaku akuzoi mediat për dezinformim dhe akuza të pabaza lidhur fshehjen e vrasjes të 42-vjeçarit, Prokuroria 'shënjestroi' direkt blutë e Pogradecit. Sipas hetuesëve, ngjarja është raportuar se një person i dehur është rrëzuar dhe ka humbur jetën. Shumë ndryshe nga realiteti. 

"Më datë 10.08.2024, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në afërsi të vendit të quajtuar “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjia nr.2 në Pogradec, u gjet një shtetas i shtrirë pa ndjenja. Pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale u identifikua si shtetasi E.P. i cili u transportua në spital pa shenja jete. Lidhur me ngjarjen janë pyetur shtetasit V.Sh., A.B., A.Sh., R.B., L.G., A.M., dhe D.M. Nga deklarimi i shtetasit A.B., rezultoi se në momentin që ka qenë në spital ku ka shoqëruar viktimën, ka dëgjuar duke folur në telefon Inspektorin, A.L., i cili ka komunikuar faktin se një person është i pirë dhe është rrëzuar. A.B. i ka thënë se kushëriri i tiij (viktima) ishte goditur, por inspektori i ka thënë ‘ore ik andej’,"-thuhet në njoftim.

Ndërkohë sa i përket zbutjes së akuzës për autorin e dyshuar, nga “vrasje me dashje”, në “vrasje nga pakujdesia”, është bërë sepse autori e ka goditur vetëm me një grusht dhe… nuk kishte mjete të tjera me vete për të kryer aktin kriminal.

15 gusht, Policia reagon sërish

Që në mëngjes sot, Policia e Shtetit del me një kundërpërgjigje për Prokurorinë. Fillimisht, Policia e Shtetit ka marrë një mbrojtje efektivin Artur Lilo, i vënë në hetim nga Prokuroria e Korçës. Sipas Policisë së Shtetit, Lilo  ka kryer të gjitha veprimet në përputhje me atë që i përcakton ligji si dhe ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale.

"Punonjësi i Policisë inspektor A.L me të mbërritur në vendngjarje ka komunikuar me të pranishmit, ka bërë sigurimin e vendngjarjes, ka informuar sallën operative mbi ngjarjen, gjeneralitetet e të dëmtuarit, si dhe kërkesën për ndihmë mjekësore. Pas mbërritjes së ambulancës, ka bërë shoqërimin me automjetin e policisë për në spital, ku ka qëndruar në pritje për të marrë informacion mbi ecurinë e gjendjes shëndetësore të të dëmtuarit,"-sqaron Policia.

Teksa shpreh keqardhjen për reagimin e Prokurorisë së Korçës, Policia përgjigjet edhe për akuzat për akt-ekspertimit ligjor për ngjarjen duke shtuar se akt-ekspertizën e kryen Instituti i Policisë Shkencore. Duke u fokusuar në këtë pikë, Policia shtjellohet më tej edhe për ndryshimin e akuzës. 

Policia e Shtetit nënvizon më tej se ‘nuk komenton arsyet apo shkaqet e këtyre gjykimeve të Prokurorisë, ashtu siç nuk komentuam edhe ngritjen e akuzës për “vrasje nga pakujdesia”, pa pritur aktin e ekspertizës mjeko-ligjore dhe duke hedhur poshtë akuzën e ngritur nga Policia e Shtetit për “vrasje me dashje”.’

"Në respekt të pavarësisë së organeve të drejtësisë, nuk komentojmë arsyet apo shkaqet e këtyre gjykimeve të Prokurorisë, ashtu siç nuk komentuam edhe ngritjen e akuzës për “vrasje nga pakujdesia”, pa pritur aktin e ekspertizës mjeko-ligjore dhe duke hedhur poshtë akuzën e ngritur nga Policia e Shtetit për “vrasje me dashje”. Sqarojmë opinionin publik se, nuk ka asnjë lidhje mes punonjësit të Patrullës së Përgjithshme që është vënë nën akuzë dhe hetimit të ngjarjes, për të cilën Policia e Shtetit ka kapur, arrestuar dhe dërguar para drejtësisë autorin e dyshuar të ngjarjes,"-shkruhet ndër të tjera në njoftimin e sotëm.

E gjithë kjo përplasje institucionesh të paktën e ka një të mirë. Ngjarja nuk mund të fshihet më, është në lupën e opinionit publik dhe ndoshta...për Egli Progën do të ketë drejtësi./ZËRI

Poll

MOS HUMB