
POGRADEC- Denis Meçe kërkon lirinë! Nëpërmjet avokatit të tij, ai ka paraqitur në gjykatë kërkesën që t’i zëvendësohet masa e sigurisë nga “Arrest ne burg” në “Arrest shtëpie”, ose të lihet i lirë me një garanci pasurore.
Avokati i tij mbrojtës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” ose garanci pasurore me vlerën 1.000.000 lekë. Sipas kërkesës së paraqitur, kjo është një vlerë e konsiderueshme garancie, pasi edhe nëse Meçe arratiset dëmi ekonomik që do t’i shkaktohet do të jetë tepër i madh.

Gjykata caktoi masën “arrest me burg” ndaj tij, por çështja e Denis Meçes ka shkaktuar përplasje mes institucioneve në vend. Pasi Prokuroria e Korçës akuzoi dje se inspektori i Policisë, Artur Lilo nuk e kishte dokumentuar vrasjen, ndërsa me një reagim zyrtar Policia e Shtetit deklaron se punonjësi i Patrullës së Përgjithshme, Artur Lilo, ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale.
Denis Meçe, një ditë më parë, është shprehur i penduar dhe i kërkon falje familjes duke theksuar se nuk kishte qëllim as ta vriste. Egli Proga ndërroi jetë të shtunën, si fillim ngjarja u raportua si aksident, ku u tha se viktima humbi jetën pasi u rrëzua në rrugë, por pas pretendimit të familjarëve se ishte dhunuar, rezultoi se ai vdiq si pasojë e plagëve të marra nga dhunimi që iu bë nga Meçe, teksa u la për 30 minuta i shtrirë në rrugë. /ZËRI