Aktualitet

Vjosa Osmani: Kosova s'ka pse të pyesë Serbinë për hapjen e urës së Ibrit

Gjatë një vizite në Komunën e Vitisë, Osmani theksoi se Kosova nuk duhet të hyjë në konflikt me aleatët e saj për këtë çështje.

M.M
Vjosa Osmani: Kosova s'ka pse të pyesë Serbinë për
Vjosa Osmani gjatë deklaratës

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rikonfirmuar qëndrimin e saj në lidhje me çështjen e urës së Ibrit, një pikë kyçe që ka qenë subjekt i tensioneve në veri të Kosovës. Gjatë një vizite në Komunën e Vitisë, Osmani theksoi se Kosova nuk duhet të hyjë në konflikt me aleatët e saj për këtë çështje. Gjithashtu Osmani shtoi se Kosova nuk ka nevojë të kërkojë pëlqimin e Serbisë për hapjen e kësaj ure dhe se nuk duhet të përfshihet në dialogun e Brukselit si temë diskutimi.  

"Ajo urë nuk është dashut të mbyllet kurrë, ajo është mbyllur për arsye komplet politike. Ura duhet të hapet patjetër, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të jetë e hapur përherë, e jo që kur të hapet të nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. Nuk është në interes tonin që të shohim konflikt mes policisë tonë dhe ushtarit amerikan. Ne nuk kemi arsye të kemi konflikte me aleatët tanë.Nuk besoj që meritojnë më shumë vëmendje nga ana e ime. Nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së Urës në dialog. Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikurse ky zëdhënësi që nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet. Serbia nuk ka çka pyetet për urën brenda Kosovës”, ka thënë Osmani.

Kjo urë që e ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe, ishte bllokuar për herë të parë pas luftës në vitin 1999. Ndonëse ndër vite u arritën marrëveshje e dakordime, u investua në infrastrukturën e saj si dhe u hap për qarkullim të këmbësorëve, ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar për automjete. Më 24 korrik të vitit 2024, Ministria e Infrastrukturës e Kosovës hapi një tender për testimin e “kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese”. Ndonëse nuk duan dialog në Bruksel për urën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se planifikojnë diskutim publik nga Komuna e Mitrovicës së Veriut me qytetarët për "përfitimet nga hapja e urës”./ ZËRI

Poll

MOS HUMB