Aktualitet

Tritoli në banesën e Koçiljas, autori emër i njohur për policinë, u largua një ditë pas ngjarjes nga Shqipëria

Llana ka qenë i dënuar më parë për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Durrësit.

E.K
Tritoli në banesën e Koçiljas, autori emër i njohur
Florin Llana

DURRËS- Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në datën 26 Shkurt, ku një sasi tritoli u vendos në banesën e Ilir Koçiljas, i arrestuar për vrasjen e Halil Kokës. 

Burime bëjnë me dije për ZËRIN se autori i dyshuar për vendosjen e tritolit në banesën e Koçiljas është shtetasi Florin Llana, një emër i njohur për policinë, pasi ka qenë i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale.

Identifikimi i tij është bërë pas kqyrjes së kamerave të sigurisë, ndërkohë që ai dyshohet se është larguar nga Shqipëria një ditë pas ngjarjes.

Sasia e tritoli shkaktoi vetëm dëme materiale, pasi në banesë nuk jetonte asnjë prej familjarëve të Koçiljas. Në muret e banesës u shkruajt dhe mbishkrimi “endacak vrasës”.

Koçilja vrau me thikë pak javë më parë Halil Kokën, pas një sherri që kishin pasur për vendin e parkimit, dhe për një borxh të pashlyer.


NJOFTIMI I POLICISË:

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 26.02.2024, në lagjen nr. 3, ku një shtetas i paidentifikuar vendosi lëndë eksplozive në banesën e një shtetasi.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u bë i mundur identifikimi i shtetasit të dyshuar si autor i vendosjes së lëndës eksplozive. 

Nga verifikimet e kryera rezulton se ky shtetas ka dalë nga Shqipëria, një ditë pas ngjarjes.

Strukturat hetimore te Komisariatit të Policisë Durrës, pas një pune të thelluar hetimore, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, bazuar në këqyrjen e kamerave dhe në inteligjencën policore, kanë bërë të mundur idemtifikimin e autorit të vënies së lëndës eksplozive në banesën në pronësi të shtetasit L. K., ku si pasojë e shërthimit pati vetëm dëme materiale. 

Nga veprimet e shpejta dhe profesionale hetimore, administrimi i provave në vendngjarje, si dhe këqyrja e kamerave, dyshohet se autori është larguar me një automjet të marrë me qira, drejt lagjes nr. 6.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim autori i dyshuar, shtetasi F. Ll., i dënuar më parë për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Durrësit. 

Vijon puna intensive për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB